E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shqipëria? Si Polonia e 50 viteve më parë"

Të rinj, me një çantë secili në kurriz, ngrenë gishtin e madh duke kërkuar që të ndalojmë për t’u dhënë mundësinë të zhvendosen më në jug. Të qeshur, paksa të ndrojtur teksa hapin derën e makinës dhe na pyesin në anglisht: “Did you stop for us?” (Për ne ndaluat?). Rima dhe Patriku janë vetëm dy nga personat e interesuar për Ballkanin dhe pjesën perëndimore të tij, Shqipërinë…

Për vendin tonë ka dëgjuar përmes shoqes së saj që kishte studiuar albanologji dhe vinte çdo vit në Shqipëri. Sipas “gojëdhënave” dhe atyre çka ajo ka parë, Shqipëria ka ndryshuar shumë. Por, nëse do të donte t’i bënte një krahasim, atëherë do të thoshte se është e ngjashme me “Poloninë e 50 vjetëve më parë”. Megjithatë, së bashku me shokun e saj kanë vendosur që të vizitojnë Ballkanin e deri më tani kanë parë Malin e Zi, ndërsa në Shqipëri kanë vetëm pak ditë që kanë mbërritur. Rima dhe Patriku, të moshës 24 dhe 26 vjeç, janë të dy nga Polonia. Rima (emër që, siç thotë ajo, vjen nga arabishtja dhe do të thotë “drenushë”) ka mbaruar arsimin e lartë për gjeografi, ndërsa Patriku vazhdon për fizioterapi, megjithëse këtë vit ka vendosur ta bëjë pushim, në mënyrë që bashkë me Rimën të bëjnë një tur nëpër Ballkan dhe në fund të tij, ndoshta, do të jenë më të qartë për t’i dhënë një drejtim jetës së tyre, pasi aktualisht iu duket e vështirë. Ne i morëm në makinë, ndërsa bënin autostop dhe patëm mundësinë që të mësonim më tepër për ta, teksa u kërkuam t’u merrnim një intervistë. Rima është shumë e çiltër teksa rrëfen moshën e saj pa u druajtur, duke shtuar edhe pyetjen: “Dukem më e vogël, apo jo?” Dhe, vërtet. Gëzimi që ajo shfaq, të shëmbëllen me gëzimin e një fëmije, duke bërë vërtet që vitet e saj të zhduken.

Rima, me çfarë të pëlqen të merresh?

Më pëlqen të udhëtoj. Para një viti u diplomova për gjeografi, çka do të thotë se mund të punoj si mësuese në Poloni, por nuk besoj se jam shumë e prirur për mësuese. Për më tepër, paga është shumë e ulët dhe me të nuk mund të jetosh. Ose, e ke një zgjidhje.: mund të martohesh me një burrë shumë të pasur? (Qesh)

Sa paguhet një mësues në Poloni?

Paga është një mijë zloti në muaj (na thotë se një euro ështëe barabartë me 3,5 zloti, monedha vendase). Por, niveli mesatar i jetesës në Poloni është 2500 zloti, kështu që mund ta llogarisësh që është e pamundur të jetosh me një pagë të tillë, pasi 500 zloti kushton vetëm dhoma ku do të jetoje.

Atëherë, çfarë ke vendosur të bësh, me çfarë do të merresh?

Patriku, shoku im (tregon nga miku i saj i cili flet shumë pak anglisht), e la këtë vit në mënyrë që ne të mund të realizonim këtë udhëtim, i cili besojmë se do të zgjasë rreth një vit. Gjatë verës punuam përtri javë në Itali duke mbledhur mollë, kështu që fituam diçka. Gjithashtu, kemi bërë për fëmijët flluska të mëdha prej sapuni, pasi të dyve na pëlqejnë fëmijët.

Çfarë të pëlqen më shumë?

Patriku! (Qesh)

Po Patrikut, çfarë i pëlqen më shumë?

(Ndërkohë Rima i përkthen në polonisht Patrikut se për çfarë po pyesim. Dhe ai përgjigjet: Për të ngrënë?)

Patrikut i pëlqen shumë gatimi, - thotë Rima. – Edhe mua gjithashtu më pëlqen gatimi.

Rima, ku ke dëgjuar për Shqipërinë për herë të parë?

Një shoqja ime ka studiuar albanologji dhe flet shqip. Ajo vjen çdo vit këtu dhe më ka treguar për këtë vend. Por unë shoh që ka ndryshuar, sepse p.sh. ajo më ka thënë se rrugët kanë qenë të këqija, ndërsa unë shoh që qenkan rregulluar.

Çfarë dije më parë për Shqipërinë?

Dija që është një nga vendet më të varfra në Evropë, që Shqipëria dhe Greqia janë të vetmet vende në Ballkan që nuk bënin pjesë në Jugosllavi, që ka një kulturë mesdhetare, ku shumica e popullsisë është myslimane dhe që është një vend në ndryshim.

Po tani, ç’mund të thuash për këtë vend?

Mund të them se është i ngjashëm me pjesën tjetër të Evropës dhe se duket si Polonia e 50 viteve më parë.

Që domethënë…?

Është si një shesh ndërtimi, po ndryshon.

Sa do të zgjasë kyudhëtim dhe ç’do të bëni në fund të tij?

Ëm… Ne kemi kaluar dhjetë ditë në Mal të Zi, besojmë do të qëndrojmë rreth dy javë në Shqipëri, pastaj do të shkojmë në Greqi… Kemi menduar rreth një vit. Në fund të udhëtimit shpresojmë të kemi gjetur një përgjigje për drejtimin që do t’i japim jetës sonë. Ndoshta edhe unë do të vendos të merrem me fizioterapi, me njerëzit që kanë probleme ose me fëmijët që kanë probleme, pasi më pëlqejnë fëmijët. Të shohim!

Ndërsa i afrohemi Durrësit, ndahemi me dy të rinjtë polakë. Rima na ka treguar se kanë vendosur të shohin vendet antike në Shqipëri, por edhe vendet që kanë një natyrë të bukur, kështu që ne i këshilluam Apoloninë e pastaj udhëtimin në bregdet nga Vlora deri në Butrint. Teksa ata vazhdojnë autostopin e tyre në Shqipëri, urojmë që vendi ynë t’iu ketë lënë një përshtypje sa më të mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›