E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stuhia, peshkatari ngrin në det

MOTI I KEQ/ Varfëria çoi në shkaktimin e viktimës së parë nga të ftohtët e madh që ka përfshirë vendin këto ditë

59-vjeçari doli në det të hapur për të peshkuar edhe pse nuk ishte dhënë leja përkatëse nga kapiteneria e portit

SARANDË - Një ditë pas stuhisë, kur në det u ndalua të dalë çdo mjet lundrimi, një 59-vjeçar ishte viktima e parë e të ftohtit, duke ngrirë në det pasi kishte hedhur rrjetat e peshkimit, për t’i siguruar ushqimin e përditshëm e të munguar familjes së tij prej shtatë anëtarësh. Ishte i biri, që e kishte shoqëruar në “peshkimin” e tij që e nxori të atin në breg, por që me gjithë përpjekjet e mjekëve për ta sjellë në jetë, vdiq në thëllimin e ajrit të kripur detar.

Mëngjesi i djeshëm u prit me padurim nga Skënder Ibraj. Në orën 07:00 të mëngjesit, i ndihmuar edhe nga njëri prej pesë fëmijëve të tij, ai doli në det të hapur për të peshkuar. Megjithëse kapiteneria e portit, e cila një ditë më parë kishte ndaluar daljen në det të çdo lloj mjeti lundrimi, nuk e kishte anuluar ende urdhrin e një dite më parë, 59-vjeçari, me dëshirën për të siguruar ushqimin e familjes,vazhdoi punën e tij të peshkatarit. Pasi u largua rreth 100 m nga bregu, hodhi rrjetat e peshkimit, duke menduar se pas stuhisë peshkimi do t’i shkonte mbarë dhe në shtëpi do të çonte disa të holla nga shitja e peshkut aty në Limanine vjetër. Por, papritur, gjatë hapjes së rrjetave, nga të ftohtët dhe lodhja, pas dhënies së rremave në një det të vështirë peshkatari nuk i rezistoi të ftohtit. Ai ngriu aty, në det të hapur, duke mbyllur sytë përgjithmonë. As transporti drejt spitalit, as përpjekja e mjekëve, nuk e ktheu në jetë 59-vjeçarin. Të afërmit bënë të ditur se ishte varfëria ajo që e detyroi kryefamiljarin që të dilte të peshkonte.

Sot, të hënën, trupi i Skënder Ibrajt do të prehet në tokën e të parëve të vet, megjithëse kohën më të madhe të jetës 59-vjeçare e kaloi në det. Shumë nga sarandiotët e kalojnë jetën e tyre duke e siguruar ushqimin me anë të peshkimit. Varfëria e madhe i bën ata që shpesh të mos iu binden urdhrave të kapitenerisë, atëherë kur deti përcaktohet si shumë i rrezikshëm edhe për jetët e tyre. Një gjë e tillë ndodhi edhe me Ibrajn, i cili i kushtëzuar nga kushtet ekonomike ndërroi jetë në një mënyrë të tmerrshme. Nga pesë fëmijët e tij mësohet se njëri ka probleme shëndetësore, çka e bën edhe më të vështirë mbijetesën për familjen sarandiote, tashmë të mbetur pa kryefamiljar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›