E Diel, 1 Nëntor 2026

Otranto 2000, familjarët kërkojnë fajtorët

Të afërmit e viktimave akuzojnë shtetin italian për ngjarjen e ndodhur në vitin 2000 ku ndërruan jetë 15 vetë

SHKODËR - Prindërtë viktimave të tragjedisë së Ontrantos së 4 majit 2000 shprehen të indinjuar nga vendimi i fundit i gjykatës së Leçes në Itali për dënimin me 60 vjet burgim të 5 skafistëve dhe personave që organizuan ikjen në Itali të shqiptarëve të cilët u mbytën nga motevedeta italiane e Guardia di Financës, vetëm pak metra larg bregut italian. Nga 16 viktimat e kësaj ngjarjeje, 10 prej tyre ishin nga Shkodra. Sokol Cekaj, babai i njërit prej viktimave që drejton dhe shoqatën që mban emrin e kësaj tragjedie, shprehet se prej kohësh është kërkuar prej tyre vënia në vend e drejtësisë, por me keqardhje vërehet se gjykata italiane ka dënuar shqiptarët, por jo autorët e vërtetë të kësaj ngjarjeje të rëndë që u mori jetën 16 personave dhe që, sipas Cekës, janë forcat italiane të motovedetës. Ishin italianët ata që, sipas dëshmive të të mbijetuarve, i kanë hipur sipër gomones me klandestinë shqiptarë, në një kohë kur shumë lehtë mund ta ndalonin dhe t’i kapnin klandestinët e t’i riatdhesonin. Por policia italiane ka vendosur më mirë t’i mbysë qëllimisht në det dhe e ka ndarë në dysh gomonen , ndaj dhe përgjegjësia është plotësisht e italianëve. Cekaj shton se si prindër të viktimave të 4 majit 2000 në Otranto, janë të indinjuar nga mosndëshkimi i fajtorëve të vërtetë, ashtu si dhe nga indiferentizmi i shtetit shqiptar, i cili asnjëherë nuk është interesuar pranë autoriteteve të drejtësisë e ligjit italian për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe ndëshkimin e autorëve realë të saj. Cekaj shprehet se ajo që ndodhi më 4 maj 2000 me djalin e tij dhe të tjerë persona që udhëtonin me gomone drejt vendit fqinj, është një krim i pastër.Cekaj rrëfen sesi e ka përcjellë djalin e tij Elionin, 20 vjeç, më 3 maj 2000 tek sheshi “Isa Boletini”, ku së bashku me 20 shkodranë të tjërë u nisën drejt Vlorës e më pas drejt Italisë. “Rreth orës 23:00 ata mbërritën në afërsi të brigjeve të Italisë. Në momentin që u bënë gati të zbresin, klandestinët që ishin në gomone, e panë veten të rrethuar nga skafet italiane. Të trembur tentuan të kthehen sërish për në Vlorë, por atëherë ndodhi tragjedia. Djali im u gjet i mbytur nga italianët pas 18 ditë kërkimesh. Kam paguar 1 milion e 800 mijë lireta. Lekë nuk kishim, por na i solli një i afërmi ynë emigrant po në Itali. Lajmin e tragjedisë e dhanë më 5 maj stacionet televizive italiane. Megjithëse bëra disa telefonata, askush nuk tregonte të vërtetën. Një infermiere në spitalin e Leçes, e cila kishte kontaktuar me një klandestin shqiptar të plagosur, më tha se djali im nuk gjendej. Ish-drejtori i policisë së Shkodrës i asaj kohe, Arben Zylyftari, i cili u vra pak muaj më pas, na ndihmoi shumë. Ai na dha informacionet e para. Shteti italian nuk i nxirrte kufomat. Të irrituar i dërguam 5 fakse Parlamentit Evropian, 2 Gjykatës së Hagës dhe vetëm pas kësaj nisi kërkimi i trupave. Vetëm për të sjellë kufomën në Shqipëri pagova 3,5 milionë lireta. Vepruam shpejt, ndryshe djali do të varrosej atje. Për paratë më ndihmuan të afërmit”. Ngjarja e 4 majit 2000 ndodhi afër brigjeve italiane. Një gomone me 31 klandestinë shqiptarë (vetëm nga rrethi i Shkodrës ishin 20) u godit nga helika e një motovedete italiane. Për pasojë u dëmtuan dhomat e gomones, si dhe u gjymtuan e vdiqën disa klandestinë. Bilanci i tragjedisë ishte 16 të vdekur, ndërsa mundën të shpëtojnë 15 të tjerë. Ngjarja e shkaktuar në det u mbulua nga një heshtje e thellë si nga pala italiane, ashtu edhe nga qeveria shqiptare. Kështu të paktën deklarojnë të afërmit e 10 viktimave nga Shkodra. Sokol Cekaj ka kërkuar dhe më parë nisjen e një procesi gjyqësor në Itali, për të vënë para drejtësisë ata që mbytën në det djemtë e tyre. I trishtuar nga indiferenca e shtetit shqiptar, i cili asnjëherë në këto vite nuk u kujdes për t’u vënë drejtësia, Cekaj shton se ai dhetë afërmit e viktimave nga Shkodra u janë drejtuar për ndihmë gjithë institucioneve evropiane. Ata kërkojnë që të zbardhet e vërteta dhe që pala italiane të vërë në dispozicion të procesit gjyqësor të gjitha provat materiale. Por me keqardhje konstatojnë se kjo nuk ndodhi dhe fajtorët e vërtetë mbetën pa u ndëshkuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›