Liberalizim dhe pamundësi për punësim, Elbasani nxjerr çdo vit 1500 mësues
ELBASAN- Punësimi mbetet sfida e madhe e studentëve që përfundojnë arsimin e lartë në degët e mësuesisë pranë Universitetit të Elbasanit. Drejtoria Arsimore në Elbasan është kthyer shpesh në arenë radhësh dhe pritjeje nga njerëz që kërkojnë punë. Ky institucion, që ka edhe numrin më të madh të kërkesave për punë, është dorëzuar përballë sistemimit të tyre dhe studentëve të diplomuar gjatë viteve nuk u ka mbetur gjë tjetër veç të rinovojnë dokumentacionin dhe kërkesën e tyre sa herë që drejtuesit ndërrohen. Kështu, me ndryshimet e fundit, në Drejtorinë e Arsimit pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore janë paraqitur 317 kërkesa për punë për degët e mësuesisë. Numri më i madh i kërkesave janë regjistruar në degët biokimi, parashkollor, gjuhë-letërsi, gjeografi dhe anglisht. Sistemimi i këtyre mësuesve që kërkojnë punë, duket i pamundur. Drejtoresha e Arsimit, Mimoza Matraxhiu, deklaron se mundësitë për të sistemuar mësuesit që përfundojnë arsimin e lartë, janë shumë të pakta. Asnjë mësues nuk e lë vendin e punës, pensionet janë të pakta dhe po kështu sistemi arsimor është reformuar. Çdo të premte në shkallët e këtij institucioni qëndrojnë mësuesit punëkërkues, disa prej tyre edhe me mesatare të lartë që presin një vend punësimi. Ka edhe nga ata që qëndrojnë prej vitesh, pasi kanë mundur të arrijnë vetëm ndonjë kontratë disamujore.
Pesimizmi i studentëve
Vetëm gjatë vitit të fundit nga Universiteti i Elbasanit janë diplomuar 1485 studentë në sistemin me kohë të plotë e me kohë të pjesshme në mësuesi dhe rreth 800 vetëm nga Elbasani. Numri i studentëve ka ardhur duke u rritur nga viti në vit dhe po kështu i të diplomuarve. Vetë studentët që po i afrohen diplomimit thonë se perspektiva për shumë degë është e errët. Sipas tyre, degët e mësuesisë, sidomos për Elbasanin, nuk kanë mundësi punësimi. Më të privilegjuarit janë studentët e matematikë-fizikës, ndërsa degët gjuhë-letërsi dhe biokimi kanë më pak mundësi. Denisa Sotiri vjen nga Berati dhe vazhdon vitin e parë master në degën matematikë-informatikë. Ajo thotë se ka më shumë mundësi punësimi në këtë degë dhe sidomos në Berat. “Kam zgjedhur këtë degë së pari se më pëlqen dhe, së dyti, pasi kam mundësi të gjej punë si mësuese kur të përfundoj. Di që degë të tjera kanë më shumë vështirësi. Edhe në Elbasan ka shumë studentë që përfundojnë dhe shoqet e mia kanë më pak mundësi të punësohen sesa ne që vijmë nga rrethet ku nuk ka universitet. Këtyre studentëve mendoj se duhet t’i jepet mundësia edhe në struktura të tjera të punësohen, por edhe të merren parasysh rezultatet”. Silva dhe Daniela janë studente në të njëjtin fakultet. Edhe ato kanë zgjedhur shkencat ekzakte për më shumë mundësi punësimi. Me përfundimin e masterit të nivelit të parë, dy studentet pretendojnë të punësohen duke qenë se janë nga rrethet, por Elbasani, sipas tyre, ofron pak mundësi. Pranvera Hysa është studente e vitit të tretë në degën italisht dhe nuk mendon se këto degë dhe, sidomos gjuhët e huaja, kanë shumë perspektive në mësuesi. “Nuk mendoj se sapo të përfundoj do të gjej punë. Këtu më duket e pamundur, pasi kam dëgjuar që gjuhët e huaja nuk kanë shumë shanse. Në përfundim të masterit mendoj të emigroj drejt Italisë dhe atje të mbështetem tek familja ime për të gjetur një punë. Mendoj se më e lehtë është të gjesh punë në Itali sesa në Elbasan”. Të njëjtën gjë mendojnë edhe studentë të tjerë të degëve të mësuesisë. Pesimizmi për t’u punësuar në vitet e para pas përfundimit të universitetit është i madh. Altini tregon se ai po e përfundon shkollën e lartë në degën e gjeografisë thjesht për të pasur një shkollë të lartë, pasi për të gjetur punë në këtë profil as që bëhet fjalë.
Drejtorë pa diploma dhe “Rroftë politika!”
Kur shumë të diplomuar qëndrojnë dyerve të drejtorisë arsimore për punë, mjafton të inkuadrohesh në politikë dhe diploma nuk të duhet. Kështu ndodh me njërin prej drejtuesve të një drejtorie pranë institucionit të Këshillit të Qarkut. Drejtuesi i Drejtorisë së Rrugëve Rurale duhet të ishte me arsim të lartë (në bazë të Organikës të miratuar në shkurt të këtij viti pranë Këshillit të Qarkut), por ja që nuk ka është kështu. Mësohet se, pavarësisht kërkesave ligjore, ai nuk disponon asnjë diplomë. Gjithashtu, bëhet e ditur se në këtë rreth ka të tjerë drejtues që nuk kanë arsimin e lartë. Po i njëjti problem ndodh edhe me disa drejtues shkollash në zonat rurale, të cilët nuk disponojnë kualifikimin e nevojshëm për të qenë në një pozicion të tillë, por në një moment të caktuar janë mbështetur nga politika për të qenë në pozita drejtuese.
INTERVISTA/ Profesori i degës së gjermanishtes shprehet se nuk janë marrë masat për punësimin
De Mateis: Punësimi, ministria të zgjidhë problemin
Lidhur me problemin e punësimit të studentëve të cilët përfundojnë në degët e mësuesisë, profesori i gjermanishtes, Mario de Mateis, shprehet se krijimi i mundësive për punë është detyrë e Ministrisë së Arsimit. Sipas tij, ministria duhet të marrë masat për profilizimin e degëve dhe për largimin e mendësisë se të gjithë ata që studiojnë gjuhët e huaja duhet të jenë vetëm në nivelin mësimor.
Professor De Mateis, cili është pozicioni juaj në Universitetin e Elbasanit?
Unë jap mësim tek dega e gjermanishtes nëpërmjet fondacionit gjerman “Herder-Stiftung”. Jap lëndën e komunikimit ndërkombëtar, varietet linguistike dhe shumë leksione të karakterit kulturor evropian.
Ka interes për lëndën tuaj?
Studentëve shqiptarë të gjermanishtes nuk iu mungon dëshira, pavarësisht se nuk janë shumë korrektë. Më duket se kjo është një mendësi shqiptare dhe e Italisë së Jugut. Cilësia nuk është e shkëlqyer, por kjo nuk vjen për faj të studentëve. Faji duhet kërkuar tek strukturat që kanë ekzistuar. Ato nuk ishin në lartësinë e duhur, ndërsa tani po bëhen përpjekje për përmirësim cilësor.
Cilat mendoni se është perspektiva e këtyre studentëve pas përfundimit të arsimit të lartë?
Lidhur me perspektivën, mendoj se, për fat të keq, përcaktimi si mësues i studentëve të gjuhëve të huaja, por edhe i degëve të tjera është një problem serioz, që nuk mund të zgjidhet këtu në Elbasan, por në Ministrinë e Arsimit. Është kjo ministri që duhet të vendosë të zgjerojë mundësitë e studimit, duke futur module të tjera diplomash ose master, siç janë në të gjitha universitetet evropiane, me qëllim që të arrihet në profesione që janë më afër realitetit dhe tregut të punës.
Mund të jepni shembuj?
P.sh. turizmi dhe ekonomia, që mund të lidhen edhe me gjuhët për përgatitjen e personelit teknik të aftë për të njohur gjuhën, por edhe historinë në nivelin ekonomiko- kulturor. Si shembull mund të marrim faktin se ka shumë pika arkeologjike në Shqipëri që nuk kanë guida. Ne shpesh me delegacionin gjerman kemi vizituar pika të ndryshme turistike, por që nuk kemi gjetur aty personel të specializuar të aftë për të na shpjeguar nëpërmjet gjuhës historinë, kulturën, arkeologjinë e këtyre vendeve. Nëse qëndrohet vetëm në nivelin e mësuesisë në shkolla edhe përsa i përket gjuhëve të huaja, atëherë kjo është një rrugë e mbyllur.
Çfarë shihni si zgjidhje?
Ka probleme teknike që nuk mund të zgjidhen këtu në Elbasan, por nga ministria, duke zgjeruar gamën e kurrikulave në mënyrë që këta studentë të kenë një të ardhme më të mirë. Unë jap mësim edhe në Tiranë në nivelin Master 2 në degën Komunikim Ndërkombëtar dhe Turizëm. Në kryeqytet është hapur ky profil që i jep hapësirë dhe më shumë mundësi për studentët për të pasur një punë tjetër. Nëse kjo gjë do të bëhej edhe në Elbasan, atëherë ky universitet mund të konkurrojë me Tiranën.