Durrës, mësonte makinën në bregdet, aksidenton për vdekje 12 vjeçarin
Një tragjedi e vërtetë ka ndodhur në plazhin e Durrësit, ku një fëmijë ka humbur jetën pasi është përplasur nga një makinë që ecte në rërën e plazhit. Një 19- vjeçare me origjinë nga Fieri dhe me banim në Durrësi, ka aksidentuar për vdekje fëmijën 12- vjeçar, Xhoni Recka, gjatë kohës që ajo po mësonte makinën në rërën e plazhit ku është absolutisht e ndaluar të lëvizin makina.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së hënës rreth orës 17:30 minuta në vendin e quajtur sektori Hekurudha-Plazh. 12- vjeçari kishte dalë në breg të detit së bashku me fëmijë të tjerë për të luajtur, por papritur automjeti që udhëtonte me shpejtësi në bregun e detit e ka përplasur, duke i shkaktuar vdekjen. Menjëherë, për ti ardhur në ndihmë të miturit kanë shkuar pushues, të cilët e kanë transportuar për në urgjencën e spitalit rajonal të Durrësit. Autorja e aksidentit fatal që mësonte makinën në rërë Xheini R., 19 vjeçe, është shoqëruar nga efektivat e postës së plazhit për në komisariatin e policisë së Durrësit për të dëshmuar mbi atë çfarë ka ndodhur. Ndërkaq, viktima fatkeqe është Xhoni Recka, 12 vjeç, një fëmijë që banonte në lagjen numër 13 të qytetit bregdetar të Durrësit. Burime nga spitali i Durrësit bëjnë të ditur se fëmija ka mbërritur në gjendje të rëndë shëndetësore, ku i është dashur të kryejë disa ndërhyrje kirurgjikale. Por, megjithë përpjekjet e mjekëve, fëmija nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. Burime zyrtare nga policia e Durrësit pohojnë se vajza 19- vjeçare, ka qenë duke lëvizur në bregdet me një veturë në pronësi të shtetasit Kastriot D., me targa DR 8161 E. Policia pohon gjithashtu se 19- vjeçarja nuk kishte patentë për të drejtuar mjetin, duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. 19- vjeçarja, në versionin e saj ka thënë se fëmija ka qenë duke vrapuar dhe i ka dalë papritmas përpara, por fakti tragjik në këtë ngjarje është se ajo makinë nuk duhej në asnjë mënyrë të lëvizte në rërë, pasi është e ndaluar rreptësisht. Arrestimi i 19- vjeçares është bërë nga efektivat blu pasmesnatës rreth orës 00:30 minuta. Në lidhje me aksidentin, policia tha se materialet për veprën penale të Shkeljes së Rregullave të Qarkullimit Rrugor dhe Drejtim mjeti pa dëshmi aftësie do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Ky është dhe rasti i tretë ku një fëmijë humb jetën, ndërkohë që luajnë në ranishte, si pasojë e përplasjes me automjet nga persona të cilët udhëtojnë përgjatë vijës bregdetare në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor.