E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Bollanos: Prokuroria ksenofobe, po abuzon me nacionalizmin

Më 21 prill pritet të shpallet vendimi ndaj kryetarit të Bashkisë së Himarës 
Një duel midis avokatit mbrojtës të kryetarit të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, Petraq Curri dhe prokurorit Sokol Malaj mund të quhet seance e djeshme e radhës, ndaj kryebashkiakut të Himarës, që akuzohet për shpërdorim detyre dhe një dëm prej 21 milionë lekësh ndaj shtetit. Në analizën e tij përfundimtare, Curri deklaroi se klienti që ai përfaqëson në këtë gjyq është totalisht i pafajshëm dhe po gjykohet pa të drejtë si pjesë e një procesi penal. Sipas tij, prokuroria e ka të pamotivuar akuzën e saj për konsum të veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkaktimit të dëmit material ndaj shtetit, për shumë arsye. Në këtë pikë, ai ka bërë një paralelizëm me çështjen e Zogut të Zi, duke thënë se me këtë logjikë edhe kryeministri duhet të ishte ndjekur penalisht për urdhrin e dhënë. Sipas tij, po abuzohet me nacionalizmin, pasi edhe pakicat etnike dhe minoritetet kanë të drejtat e tyre, edhe në rastin e tabelave. Madje Curri shkoi dhe më tej duke e cilësuar prokurorinë si ksenofobe dhe të veshur me nota të theksuara nacionalizimi, fakt ky që u replikua nga prokurori i çështjes, Sokol Malaj. Sipas këtij të fundit, të tilla shprehje në një gjykim janë pa vend, duke pasur parasysh se në provën e depozituar nga prokuroria ku pasqyrohet marrja në pyetje e Vasil Bollanos, ai e ka dhënë kombësinë e tij si shqiptare. Nuk ka vend këtu për këtë aludim gjatë gjykimit, kur ne jemi përballë shtetasve me të njëjtën kombësi si e jona, u shpreh prokurori Malaj. Më tej, avokat Curri deklaroi se Bollano në rolin e kreut të pushtetit lokal, ka marrë një masë administrative në zonën që është në juridiksion të tij dhe si i tillë nuk mund të gjykohet penalisht. Ai deklaroi se nuk kemi të bëjmë me asnjë element të veprës penale dhe nuk ka asnjë dëm material, pasi toka ku janë vënë tabelat as nuk është tjetërsuar në asnjë formë dhe as nuk ka ikur nga vendi, ndërsa tabelat e hequra, sipas tij nuk janë dëmtuar, por janë të magazinuara. Pasi u dëgjua mbrojtja dhe replika e prokurorit lidhur me çështjen e ksenofobisë dhe nacionalizmit, gjyqtari i çështjes, Shkëlzen Selimi vendosi të japë vendimin e detajuar në datë 21 prill, duke e konsideruar seancën e djeshme të mbyllur. Një seancë më parë, prokurori kërkoi dënimin me 1 vit burg për kryetarin e Bashkisë së Himarës dhe ndëshkim me gjobë në shumën e 5 milionë lekëve të vjetra për dëmin që ka shkaktuar me heqjen e tabelave. Akuzat që rëndojnë mbi Bollanon janë shpërdorim detyre. Procesi ka nisur për tabelat që janë hequr me urdhër të kryetarit të bashkisë Bollano, në aksin Qeparo-Llogora. Vlerësohet se dëmi që është shkaktuar nga heqja e tabela të jetë 21 milionë lekë të vjetra. Mbrojtësit nuk kanë pranuar akuzën dhe kanë kërkuar ndërrimin e trupit gjykues. Shkak për hetimin e Bollanos u bënë ankesat e disa banorëve të zonës, të cilët kanë njoftuar prokurorinë për dëmin e shkaktuar në heqjen e tabelave orientuese në aksin Qeparo-Qafë Llogara. Pas verifikimeve në terren, ka rezultuar se policia bashkiake e Himarës i ka hequr ato me urdhër të kryetarit Vasil Bollano. Kështu, heqja e tyre për organin e akuzës përbën shkelje ligjore, e shoqëruar me një dëm ekonomik prej 21 milionë lekësh, për të cilën Bollano u mor i pandehur. Heqja e këtyre tabelave ka filluar dhe mbaruar brenda pak ditësh, duke krijuar edhe kaos tek qytetarët dhe turistët e shumtë që vizitojnë këtë zonë bregdetare të jugut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›