E Diel, 1 Nëntor 2026

"Vaçe Zela, një grua, një mit", mbrëmje gala për nder të artistes

Për nder të këngëtares së madhe Vaçe Zela nën kujdesin e zonjës së parë, Teuta Topi u zhvillua në Pallatin e Kongreseve mbrëmja Gala "Vaçe Zela, një grua, një mit". Ky koncert, është i pari i këtij lloji kushtuar këngëtares së shquar në 70-vjetorin e lindjes së saj dhe në të u kënduan rreth 15 këngë nga artistë të ndryshëm si: Qemal Kërtusha, Irma Libohova, Myfarete Laze, Sidrit Bejleri , Vikena Kamenica, etj. I ftuar special ishte këngëtari nga Kosova Naim Krasniqi. Disa nga këngët që u kënduan ishin Valsi i lumturisë, Natën vonë, Mesnatë, Nënave shqiptare, Rrjedh në këngë e ligjërime, Nuk e fshehim dashurinë, Flakë e borë, etj. Po dje Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një telefonate të përzemërt, i shprehu urimet  Artistes së Popullit dhe Nderit të Kombit, këngëtares së madhe, Vaçe Zela, me rastin e 70-vjetorit të lindjes. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, z. Topi, duke vlerësuar interpretimin e jashtëzakonshëm të këngëve të muzikës së lehtë e popullore nga kjo këngëtare, zëri i së cilës mbushte me energji skenat shqiptare, i uroi ikonës së shenjtë të muzikës sonë, shëndet dhe jetë të gjatë. Presidenti i Republikës u shpreh se figurat e shquara kombëtare, perlat e muzikës shqiptare, gjithnjë do të jenë në vëmendjen e shtetit shqiptar dhe do të kenë mbështetjen e duhur për kontributin e dhënë në evidentimin e vlerave të artit e të kulturës shqiptare. Këngëtarja e madhe dhe e papërsëritshme e muzikës, talenti i rrallë dhe i spikatur i së cilës e ka vendosur në panteonin e artistëve të kombit tonë, e falënderoi përzemërsisht Presidentin Topi për urimet, por sidomos për kujdesin e veçantë e të vazhdueshëm që tregon për figurat e shquara të artit. Një mikrofon i larë në ar, i punuar me kujdes të veçantë, ishte një nga dhuratat që Presidenti i Republikës i bëri këngëtares Vaçe Zela, për ditëlindje. Në pllakatin e tij shkruhej Vaçe Zelës si një grua, si një zë, si një mit. Nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e parë Teuta Topi. Ndërsa dhurata e dytë ishte një letër e gdhendur në dru, ku shkruhej: Perlës së muzikës shqiptare nga të gjithë shqiptarët. Prej vitit 1962, deri në vitin 1980, ajo fitoi 11 herë çmimin e Festivalit të Këngës në RTSH. Ishte kënga Fëmija e parë me muzikë të Abdullah Grimcit dhe tekst të Dionis Bubanit, që do ti jepte të parin trofe këngëtares Vaçe Zela, e cila ishte vetëm 23 vjeçe. Por çmimet do të ndiqnin njëri tjetrin. Kështu në festivalin e dytë do të fitonte me këngën Flakë e borë, në të tretin Sot jam 20 vjeç, në të pestin Shqiponja e lirisë, në të gjashtin Këngë për Shkurte Vatën. Këngëtarja Vaçe Zela është nderuar gjithashtu, me çmim të parë në një duet me Ramiz Kovaçin me këngën Mësuesit hero, për të vijuar me këngët Mesnatë, Gjurmët e arta, Nënë moj do pres gërshetin, Gonxhe në pemën e lirisë dhe Shoqet tona ilegale në vitin 1980. Ky koncert u mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Radio Televizioni Publik Shqiptar, etj. Për nder të këngëtares, viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si Viti Vaçe Zela.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›