E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat,Task-Force: Transport falas në zonat e thella

Nga kjo e shtunë qendrat e aplikimit do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët që duan të aplikojnë për letërnjoftimet elektronike. Qeveria cakton zv. kryeministrin Genc Pollo ne krye të Task- Forces. 

TIRANE- Një “Taks Force” në funksion të procesit të aplikimit dhe pajisjes me karta identiteti. Ky është vendimi i fundit që qeveria mori sot në kuadër të shpejtimit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.

Grupi Task Force do të kryesohet nga zv kryeministri Genc Pollo dhe do të merret me organizimin e lëvizjes në grup të qyetarëve që jetojnë në zonat të thella për t’i dërguar pranë qëndrave ku aplikohet me karta identiteti.

Autobusë dhe mikrobusë do të vendosen në dispozicion të gjithë banorëve në zonat e thella të cilët në mënyrë të organizuar do të lëvizin drejt qendrave të aplikimit për kartat e identitetit. I gjithë ky shërbim do të subvencionohet nga qeveria.   

Kryeministri Berisha urdhëroi sot mbajtjen hapur të qendrave të aplikimit të kartave të identitetit dhe gjatë fundjavës. Sipas vendimit të marrë sot, qendrat e aplikimit do të funksionojnë normalisht si në ditët e zakonshme dhe me orar të zgjatur. 

Propozimi u bë nga deputeti socialist Kastriot Islami pak javë më parë, dhe është një ndër nismat që PS i propozon qeverisë për të bërë të mundur përfundimin në kohë me karta identiteti të cdo qytetari.

Kryeministri Berisha i bëri sërish thirrje qytetarëve që të aplikojnë për kartat, pasi kjo shihet si një garanci që do i japim anëtarevë të NATO-s por edhe “më kryesorja garancia që do të japim ne për zhvillimin e zgjedhjeve të lira” .

Pajisja e qytetarëve me dokumente të besueshme identifikimi është konsideruar nga komuniteti ndërkombëtar, si nga kriteret kryesore që duhet të plotësojë qeveria për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Janë 700 mijë qytetarë që nuk kanë pasaporta, që duhet të aplikojnë para datës 1 qershor, në mënyrë që në votime të shkojnë me kartë identiteti



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›