E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike, PS mbledh sot Asamblenë

Autori i Lajmit: S. Topi
Partia Socialiste mbledh sot në orën 11 Asamblenë Kombëtare të saj. Kriza ekonomike do të jetë kryefjala e këtij takimi të socialistëve. Burimet nga selia rozë sqarojnë për gazetën se do të jenë rreth dhjetë apo dymbëdhjetë relatorë, të cilët do të prezantojnë gjithë situatën ekonomike në vend duke vënë në dukje të gjitha problemet e evidentuara në shoqërinë shqiptare. Më tej do të jetë Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili do të komentojë po këtë situatë. Pas një analize të përgjithshme do të miratohet dhe një rezolutë. Më tej do të ngrihet dhe një komision ekonomik dhe do të caktohen anëtarët e tij.

Asambleja

Socialistët janë të vendosur të vënë në dukje krizën ekonomike në të cilën është zhytur vendi. Pikërisht ky është dhe qëllimi i vetëm i mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, e cila lë pas çdo lloj diskutimi tjetër qoftë dhe për ndryshimet që janë parashikuar në statutin e Partisë Socialiste. Socialistët fajësojnë Qeverinë për gjithë situatën e krijuar ndërsa kanë theksuar se kjo është pasojë e kutive të mbyllura të zgjedhjeve të 28 Qershorit. Në këtë kuadër janë organizuar dhe një sërë protestash të socialistëve. Me mbylljen e fazës së parë të protestave ka nisur dhe faza e dytë, e cila vë theksin pikërisht tek këto probleme. Pas disa protestave të vogla në mbështetje të grupeve të ndryshme të interesit apo shoqërisë si pensionistët, biznesi etj, Ps ka nisur turin e saj njëjavor në të gjithë vendin. Janë zhvilluar tashmë protestat në Durrës dhe Berat. Në qendër të tyre kanë qenë rritja e papunësisë, rritja e varfërisë në vend, kostoja që duhet të paguajë çdo shqiptar apo biznes pas rritjes së çmimit të energjisë, e cila u faktua dje nga ERE. Por socialistët kanë fajësuar politikat qeverisëse dhe për rritjen e faturës së shërbimeve në spitale apo të taksave ndaj biznesit. Në këtë kuadër ka një reagim dhe të vendorëve socialistë të cilët kanë kundërshtuar me forcë kalimin e biznesit të vogël në biznes të madh duke rritur taksat ndaj tyre, por njëkohësisht dhe një sërë ndryshimesh të tjera ligjore, të cilat sipas tyre cenojnë autonominë vendore dhe njëkohësisht rëndojnë xhepat e qytetarëve shqiptarë. Madje, socialistët kanë akuzuar Qeverinë dhe për mungesën e ndihmës ndaj invalidëve apo familjeve në nevojë, të cilat prej muajsh nuk marrin lekët e parashikuara me ligj për ta. Të gjitha këto probleme të diskutuara për javë me radhë do të përmblidhen në diskutimet e sotme në Asamblenë Kombëtare, e cila mblidhet jashtë radhe. Asambleja do të miratojë dhe ngritjen e një komisioni ekonomik në PS, i cili do të shqyrtojë një për një të gjitha problemet ekonomike dhe sociale për të nxjerrë fajtorët për situatën e krijuar, por dhe për të dhënë alternativa të mundshme për zgjidhjen e situatave.

Ky lajm është publikuar: 16/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›