E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, nis pastrimi i plazhit



Bashkia ka nisur prej disa ditësh pastrimin e krejt zonës së plazhit, duke kryer evakuimin e mijëra tonëve leshterikë dhe papastërtive të tjera. Dhjetë kamionë të tonazhit të madh, dy fadroma dhe 120 forca pune kanë nisur pastrimin e plazhit. Dimri i gjatë dhe shpeshherë me det të trazuar, nxori në breg mijëra tonelata leshterikë. Po ashtu, procesit të pastrimit po i nënshtrohet edhe pjesa e rërës. Ali Karaj, drejtori i Ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit në Plazh, tha dje për “standard” se “objekti i pastrimit është bregu i detit prej nga ku po evadohen me mijëra metra kub leshterikë si dhe pastrimi dhe punimi i rërës ku bëhet banjo dielli”. Për këtë qëllim janë vënë në dispozicion 5 kamionë me kapacitet 18 tonë secili, 5 kamionë me kapacitet 7 tonë, dy fadroma, mjete për pastrimin e imët të rërës dhe për punimin e saj, si dhe një fuqi prej 120 punonjësish pa drejtuesit e mjeteve të rënda. Puna ka nisur nga sektori “Iliria” në drejtim të Urës së Dajlanit ku është edhe pika fundore e plazhit. Ndërsa konvaleshencat e Ministrisë së Mbrojtjes, të Ministrisë së Brendshme dhe Rezidenca Qeveritare do ta përballojnë këtë proces me punonjësit e tyre. Puna për pastrimin e plazhit është planifikuar të zgjasë dy javë. Sipas llogarive, rezulton se gjatë dimrit deti ka nxjerrë në breg një sasi prej 10 mijë metrash kub leshterikë që do të thotë një mal më vete. E përkthyer për shoferët janë disa mijëra tonë leshterikë që do të evadohen dhe do të depozitohen në vendin e kompostimit në Porto Romano. Ndërkohë, puna do të vijojë edhe për pastrimin e rërës nga papastërtitë. Pas procesit të pastrimit, rëra do të punohet me plugje dhe më pas do të shkriftohet dhe dystohet për t’u vënë në dispozicion të plazhistëve, të cilët nuk do të vonojnë për të nisur banjot e diellit dhe të detit. Pas punës në plazh, do të vijohet edhe me pastrimin e bregdetit në zonën e Currilave, ku natyrisht ka më pak volume pune për t’u përballuar për vetë shtrirjen e këtij plazhi. Sipas kryetarit të bashkisë, Vangjush Dako: “Sezoni i ri turistik mendojmë se do të hapet pas datës 20 maj”.

Rekord në Durrës

Në 4 muaj, 140 çifte kanë kërkuar të ndahen

Gjatë kësaj periudhe të vitit, në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës kanë depozituar kërkesat për divorce rreth 140 çifte. Prej tyre 110 janë ndarë, ndërsa pjesa tjetër është penduar, duke i anuluar vendimet për aktin final pas seancës së pajtimit. Ndryshe nga më parë, kur të divorcuara predominonin çiftet e reja, tashti kjo dukuri sociale ka prekur edhe mosha më të pjekura. Nëse në vitet ’90 divorcet kishin si shkak ndryshimet social-ekonomike, tashmë ato kanë si shkak marrëdhëniet në çift, të cilat nuk funksionojnë mbi baza pariteti. Kështu, janë 54 divorce të shkaktuara për shkak të dhunës në familje, pra gratë ndahen prej burrave të dhunshëm, të cilët ushtrojnë dhunë fizike dhe psikike mbi to dhe fëmijët. Një pjesë tjetër divorcohen për shkak të përdorimit të pijeve alkoolike pa kriter nga ana e burrave në kurriz të mbarëvajtjes në familje.

Sipas statistikës, është regjistruar edhe një numër divorcesh për shkak të bixhozit, i cili ka prekur një numër të madh të popullatës. Rrënimi i të ardhurave familjare ka çuar në këtë vendim mjaft gra të qytetit. Rreth 60% deri 70% e divorceve të kësaj periudhe 4-mujore të vitit janë kërkuar nga ana e grave dhe më pak kanë si protagonistë të ndarjeve burrat. Në të kaluarën (gjithnjë pas viteve ’90) kanë qenë burrat ata që kërkonin të ndaheshin nga gratë e tyre, por rrethanat dhe shkaqet tashmë kanë ndryshuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›