E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjana: Prodhimi bujqësor pësoi rritje në vitin 2008



Raporti mes eksporteve dhe importeve të prodhimeve bujqësore në vitin 2008 pësoi ndryshim. Prodhimi vendas duke dalë jashtë tregut shqiptar e ndryshoi këtë raport,

duke përcaktuar një bilanc të ri, duke favorizuar eksportet. Një fakt i tillë është pranuar dje nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, i cili në një konferencë shtypi tha dje se viti 2008 ka vërtetuar tendencën pozitive të rritjes së prodhimit bujqësor dhe agroindustrial vendas, kundrejt një viti më parë. "Janë shënuar hapa të rëndësishme në përmirësimin e raportit mes sasive të produktit vendas dhe atij që vjen nga importi në një shumicë artikujsh", - tha ministri Gjana. Duke u ndalur në bilancin prodhim vendi - importe bujqësore, ministri Gjana, bëri prezent një tablo të plotë të shifrave mbi këta tregues, ku ndër të tjera veçoi se në vitin 2008, janë prodhuar në vend 715 mijë ton perime dhe janë importuar vetëm 16 mijë ton, janë prodhuar 190 mijë ton patate dhe importuar 21.8 mijë ton, fasule janë prodhuar 22 mijë ton dhe importuar 360 ton etj. Ministri deklaroi se në vitin 2008, krahasuar me një vit më parë, janë prodhuar më shumë 86 mijë ton grurë, 30 mijë ton misër, 44 mijë ton perime, 36 mijë ton patate, 14 mijë ton fruta, 29 mijë ton ullinj, 1755 ton vaj ulliri, 9 mijë ton rrush, 2 mijë ton agrume, 24 mijë ton qumësht, 67 milionë kokrra vezë, 930 ton mjaltë, 807 ton konserva perimesh, 9 mijë hektolitra (HL) lëngje frutash, 150 mijë HL pije freskuese, 31 mijë HL qumësht i pasterizuar, 8.5 mijë HL verë etj. Tregues pozitiv, - tha ministri Gjana, - janë regjistruar edhe në prodhimin agroindustrial vendas. Sipas tij, janë prodhuar 154 mijë ton rrush dhe importuar 5 mijë ton ose 1700 ton më pak se një vit më parë. "Kemi prodhuar 70 mijë ton mish, ndërkohë që importi është 35 mijë ton dhe janë prodhuar 803 milionë kokrra vezë, ndërkohë që importi është një milion kokrra. Po kështu, vijoi ai, në diferenca të konsiderueshme prodhim/import shënohen edhe në prodhimin e djathit, sallamit proshutës, gjalpë, birrë etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›