Durrës, pak orë shi zbathin qytetarët
MOTI/ Reshjet e rëna gjatë natës krijuan vështirësi në shumë rrugë të qytetit bregdetar
DURRËS – Mjaftuan pak orë shi për të përmbytur rrugët e Durrësit. Shirat e rënë gjatë natës u dendësuan dhe u kthyen në shtrëngatë në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Rrugët e qytetit u mbushën me ujëra të shumta që vështirësuan kalimin e këmbësorëve. Shumë prej tyre u detyruan të zhveshin këpucët për të kaluar nga një anë e rrugës në tjetrën. Më e rëndë u paraqit situata në degëzimin e rrugës “Aleksandër Goga” pranë Muzeut të Dëshmorëve, ku ujërat që rridhnin nga lagja e sipërme, përveç llumrave, sillnin edhe mbetje inerte e dërrasa të hedhura, të cilat vështirësonin kalimin e njerëzve dhe të mjeteve motorike. Trotuaret dhe rrugë u bënë të padallueshme nga niveli i ujërave që rritej me vrull. Kjo situatë në përmasa më të shumëfishta u përsërit edhe pranë lagjes 18, ku ujërat e të gjithë masivit kodrinor të populluar me popullsi të zonave rurale të vendit, vërshuan nëpër rrugë duke bllokuar gjithë lëvizjet për disa orë. Shkak për këtë ishte bllokimi i kanalit të ujërave të larta që kalon dhe mbledh ujëjrat e zonës për në kolektorin e shkarkimit drejt stacionit të pompimit. Situata të vështira u ndeshën edhe në zonat e plazhit dhe të lagjeve të Shkozetit, ku pati bllokime rrugësh dhe në shumë shkolla nxënësit u paraqitën me vonesë në orët e para të mësimit. Reshjet e shumta penguan edhe tragetet e linjave, të cilët pritën në radhë jashtë portit, sepse manovrat e hyrjes drejt terminalit të trageteve ishin të vështira në kushtet e reshjeve të shumta që kufizonin edhe pamjen normale.