E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja Trebicka, drejt mbylljes

 

Prokuroria pret formalisht raportin e ekspertëve shqiptarë për t’i dhënë fund hetimit të ngjarjes së bujshme

TIRANË- Dosja hetimore për vdekjen e Kosta Trebickës është drejt mbylljes. Pas mbërritjes së ekspertizës së amerikanit Kevin Teter, hetuesit presin formalisht edhe raportin e dy ekspertëve shqiptarë, për të konsideruar të mbyllur hetimin për vdekjen e dëshmitarit kyç të tragjedisë së Gërdecit. Sipas burimeve zyrtare pranë organit qendror të akuzës, mësohet se dy ekspertët shqiptarë, pjesë e grupit hetimor për zbardhjen e vdekjes së Trebickës kanë përfunduar raportin e akt-ekspertimit autoteknik të makinës dhe kanë nxjerrë të njëjtin përfundim si homologu i tyre amerikan, se vdekja është shkaktuar nga aksidenti automobilistik. E megjithëse prokuroria nuk ka marrë ende përgjigje për një sërë dyshimesh që lidhen me lëvizjet e Trebickës në orët e fundit të jetës apo me ndryshimin e beftë të destinacionit të tij, kjo çështje pritet të konsiderohet e mbyllur.“Pritet që brenda këtyre ditëve, ekspertët shqiptarë të policisë rrugore të dorëzojnë pranë Prokurorisë së Korçës raportin e akt-ekspertimit të makinës, të cilët përfundimisht raportojnë se vdekja e tij Trebickës ka ardhur si pasojë e aksidentit”,-thanë zyrtarë të prokurorisë gjatë ditës së djeshme.Me administrimin e pritshëm në dosje të raportit të ekspertëve shqiptarë, dosja “Trebicka” nuk do të jetë më çështje e organeve të hetimit. Akti final, sipas prokurorëve pritet të jetë dhënia e certifikatës së vdekjes, çka sjell edhe arkivimin e këtij hetimi. Vetëm dy ditë më parë, eksperti amerikan Kevin Teter dorëzoi pranë Prokurorisë së Korçës raportin përfundimtar të akt-ekspertimit të tij, ku vdekjen e Kosta Trebickës e analizon si të shkaktuar nga aksidenti. Ndërkohë, prokuroria e Korçës, edhe pas hetimeve 20- ditore nuk ka arritur të nxjerrë përfundimet se cili ka qenë shkaku që e ka detyruar Trebickën të kthejë timonin në krahun e majtë, në një kohë që po ecte në rrugë të drejtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›