Grabitja e kambistit, shoqërohen 30 vetë
TIRANË- “Ideatori i grabitjes me armë të kambistit dyshohet të jetë një i njohur i tij”. Kështu mendojnë hetuesit e çështjes, edhe pse nuk kanë rënë në gjurmët e dy grabitësve. Gjatë 24 orëve të fundit janë shoqëruar mbi 30 persona, por pasi janë marrë në pyetje, u lanë të gjithë të lirë. Kambisti 55-vjeçar, Fari Fanxho ka dhënë detaje rreth fizikut të dy autorëve, duke thënë se nuk njihte asnjërin prej tyre. Dëshmia e kambistit, të cilit i vodhën nën kërcënimin e pistoletës rreth 50 mijë euro, nuk ka ndihmuar policinë për të zbuluar identitetin e dy autorëve. Burime nga policia thanë se 55-vjeçari Fanxho ka treguar të dhënat fizike të dy personave duke deklaruar se nuk i njihte ata. Ndërkohë që policia ka hedhur dyshime se dy personat që grabitën kambistin mund të kenë pasur si “udhërrëfyes” ndonjë të njohur të 55-vjeçarit. “Autorët mund të jenë klientë të kambistit ndërsa dyshohet se pas tyre fshihet ndonjë i njohur i Fanxhos, pasi dy grabitësit kanë ditur banesën e tij si dhe kohën kur ai shkonte në punë me paratë e konsiderueshme me vete”, -thanë për gazetën burime nga policia. Rreth orës 7:00 të mëngjesit të dy ditëve më parë, kambisti Fari Fanxho sapo ka dalë nga banesa e tij që ndodhet në rrugën “Gjergj Fishta” në Tiranë, kur është përballur me dy persona të panjohur. Me një pistoletë në dorë njëri prej personave i ka thënë kambistit t’iu dorëzojë çantën që kishte me vete në të kundërt do ta vrisnin. Për të mbrojtur paratë që kishte në çantë 55-vjeçari ka bërë rezistencë fillimisht por kur ka parë njërin prej autorëve të qëllojë dy herë në ajër me pistoletë, ka dorëzuar menjëherë çantën për të shpëtuar jetën. Fill pasi morën në dorë paratë, dy personat janë larguar me shpejtësi duke i shpëtuar policisë, ndërsa kjo e fundit u lajmërua nga kambisti, i cili ndodhej në gjendje të shokuar.