E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD: Projektligji për gjyqësorin, i papranueshëm

 

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kundër projektligjit për administratën gjyqësore

TIRANË- Projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë për “Administratën Gjyqësore” kundërshtohet hapurnga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, autoriteti më i lartë i drejtësisë në vend. Burimet zyrtare pranë këtij institucioni konfirmuan për “Shekullin” se gjatë paradites së djeshme, anëtarët e këtij këshilli janë mbledhur për të arritur në një qëndrim zyrtare në lidhje me draftin ligjor të propozuar nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Sipas burimeve pranë KLD-së mësohet se pas debateve, shumica dërrmuese e anëtarëve kanë vendosur që të kundërshtojnë 3 nene të këtij drafti ligjor, ku sugjerimet e tyre do t’ia paraqesin Komisionit Parlamentar të Ligjeve pranë Kuvendit. “Nga diskutimet e secilit prej anëtarëve të këshillit, të cilët argumentuan këtë projektligj janë kundërshtuar nenet 5 dhe 6 të këtij drafti ligjor që Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, e ka propozuar pranë Këshillit të Ministrave për miratim. Nga pretendimet thuajse e të gjithë anëtarëve të këshillit që diskutuan këtë draft ligjor, vihet në dukje cenim i pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe i integritetit të gjyqtarëve”,-thuhet nga burimet pranë KLD-së. Në fillim të javës, të gjithë argumentet juridike kundër këtij drafti ligjor do t’i dërgohen Komisionit Parlamentar të Ligjeve, komision i cili ka kërkuar mendim juridik nga KLD-ja për këtë projektligj të propozuar nga ekzekutivi. Ndërkaq, sipas këtyre dy neneve të draftit ligjor për “Administratën Gjyqësore” parashikohen kompetencat e kancelarit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit si dhe kompetencat e kancelarit në fushën administrative të këtyre gjykatave, duke lënë në hije kryetarin e Gjykatës. Këto dy nene janë kundërshtuar tashmë nga anëtarët e KLD-së, dy Shoqatat e Gjyqtarëve, nga kryetarët e Gjykatave dhe nga misioni për ndihmë ligjore në Shqipëri, EURALIUS. NOTERËT

Shoqata Kombëtare e Noterëve ka kundërshtuar projektligjin për disa ndryshime në ligjin “për Noterët”, duke i cilësuar këto ndryshime si centralizim të shërbimit të noterëve nga ekzekutivi dhe krijim të kushteve të favorshme për rritjen e nivelit të korrupsionit në këtë shërbim. Sipas kryetares së kësaj dhome, Mimoza Sadushi, drafti ligjor i Ministrisë së Drejtësisë është kundërshtuar në 35 pika duke argumentuar kundërshtimet në këto ndryshime në 26 faqe format.

AVOKATËT

Edhe miratimi i ligjit “Për Profesionin e Avokatisë” ka ngjallur reagime negative të avokatëve. Ndryshimet e bëra në ligj duket se kanë cenuar interesat e Dhomës së Avokatëve, çka ka sjellë menjëherë reagimin e tyre. Virgjil Karaj, sekretari i Dhomës, ka deklaruar për “Shekullin” se ndryshimet e miratuara në ligj janë hartuar pa pëlqimin e palës së interesit. “Ne kemi marrë pjesë vetë në ato amendamente që janë diskutuar fillimisht por kemi parë që asnjë prej tyre nuk ka gjetur vend në draftin përfundimtar”,-ka thënë ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›