E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, parqet nënujore atraksion turistik, në gjirin detar

DURRES- Gjiri detar i Durrësit mund të jetë mikpritës i parqeve nënujore, të krijuara enkas në pika të përshtatshme me anije ushtarake apo civile që kanë dalë jashtë funksionit.

Arkeologu nënujor, Dr. Adrian Anastasi shprehet se parqet arkeologjike nënujore janë një tërheqje mjaft e mirë për turistët e huaj dhe sipas tij, rajoni detar të Durrësit pikat më të përshtatshme ndodhen pranë Kepit të Palit në veri dhe në atë të Lagjit në jug.

"Vendi ynë ka krijuar përvojën e parë të parqeve nënujore në Ksamil, ku para një viti me mbështetjen e ushtarakëve amerikanë të NATO-s në një thellësi të përshtatshme detare janë instaluar disa anije të dala jashtë përdorimit nga baza detare e gjiut të Limjonit", tha Adrian Anastasi.

Arkeologu nënujor mendon se anijet e amortizuara tregtare, të cilat kanë bllokuar një pjesë të kalatës lindore në portin detar të Durrësit mund të zhvendosen dhe të "mbyten" në pika të përcaktuara më parë brenda gjirit detar. "Pranë tyre mund të vendosen edhe anije të tjera ushtarake, funksioni i të cilave ka përfunduar, por historia që ato bartin nga gjysma e dytë e shekullit të 20-të i bën mjaft interesante në sytë e një turisti nënujor", thekson dr. Anastasi.

Krijimi i 2-3 parqeve të tilla në një reliev nënujor krejtësisht të rrafshët, si është ai i gjirit të Durrësit do të bëhej barrierë edhe për peshkimin e paligjshëm pranë brigjeve.

"Shpesh herë motopeshkatoret e organizojnë gjuetinë me rrjeta në thellësi të vogla duke dëmtuar faunën dhe florën detare", shprehet dr. Anastasi. Ai gjykon se, "vendosja e anijeve të mbytura do ti jepte gjallëri edhe jetës nënujore në brigjet e Durrësit. Është provuar se këto territore nënujore kthehen në mjedise mjaft tërheqëse për peshq të llojeve të ndryshme, duke rritur atraksionin turistik për thellësitë",- tha Anastasi.
(e.m/ata/BalkaNWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›