Mirëpritet “Majmuni…”
Është mirëpritur në Suedi shfaqja “Majmuni i Diellit”, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ekipi i shfaqjes u prezantua në Malmo dhe mori pjesë në Kongresin e 17-të Botëror për Artet Performuese dhe Festivalit për Audiencë të Re ASSITEJ.
Nëpërmjet një komunikate të Teatrit Kombëtar bëhet e ditur se për herë të pare, teatri “Barnesscen” në Malmo ka frymuar shqip. “Majmuni i Diellit”, përveç që ka bërë bashkë shqiptarët, ka impresionuar regjisorë të shfaqjeve për fëmijë dhe delegatët ndërkombëtarë të pranishëm në ASSITEJ. Për regjisoren më të njohur të shfaqjeve për fëmijë dhe reformuesen e teatrit suedez Suzzan Osten, e cila është fituese e më së dhjetë çmimeve për teatër, shfaqja kosovare ka qenë njëra ndër më të mirat që ka parë.
Shfaqja kosovare është realizuar sipas tekstit të Sofia Freden, në regji të Olle Tornoqvist dhe ka për fabulë lirinë dhe skllavërinë.
“Një kastë me aktorë fantastikë dhe një shfaqje që dukej si Becketi suedez”, ka thënë Osten, regjisore dhe drejtoreshë artistike e teatrit më të njohur botëror për fëmijë, me seli në Stockholm, “Unga Klara”. Për të, aktorët kanë performuar me variacione të mëdha. “Ndërsa, stili ishte i çmendur dhe ekspresionist”.
Sipas saj, tema e shfaqjes ishte e fortë dhe e interpretuar në mënyrë shumë të fuqishme dhe komike. “Këtë më së miri e tregonin fëmijët në audiencë, të cilët regonin dhe qeshnin”.
Për regjisorin Olle Tornoqvist, prezantimi në Suedi ishte shumë i suksesshëm. “Ishte kënaqësi që t’i shoh aktorët tek përformonin në mënyrën më të mirë dhe tek kanë dhënë maksimumin për të shpërfaqur idenë e saj”, ka thënë ai.
Në shfaqjen “Majmuni i Diellit” luajnë Shpëtim Selmani, Driada Matoshi dhe Kushtrim Hoxha.