E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, policia arreston grabitësit e një dyqani

Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se Arbër Bardhi, 21 vjeç dhe Sali Ndregjoni, 19 vjeç, që të dy banues në lagjen 5 të Durrësit, janë arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Kasaforta”. Të dy këta shtetas në bashkëpunim me 22-vjeçarin Alfred Skonja, i cili është shpallur në kërkim, kanë grabitur dje në orët e para të mëngjesit karta rimbushëse, karta dixhitale dhe telefona celularë, me një vlerë 12 milion lekë, dhe kasafortën e  lokalit me administrator Agron V., në të cilën ndodheshin 500 mijë lekë të prerjeve të ndryshme.
     
Forcat e policisë kanë punuar intensivisht gjatë gjithë ditës së djeshme dhe në banesën e Sali Ndregjonit kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një pistoletë tip Zastava dhe një autoveturë pa dokumentacion, të cilën autorët e kanë përdorur gjatë grabitjes.

Burimet shtuan se në banesën e 22-vjeçarit Alfred Skonja, i cili është shpallur në kërkim, janë gjetur materiale të vjedhura me vlerë 5 milion lekë, si dhe 300 mijë lekë kartmonedha. Gjatë kontrollit në garazhin e shtetasit Arbër Bardhi  është gjetur një bombë me telekomandë e tipit celular, e cila është çaktivizuar nga specialistët e Ministrisë së Brendshme.
     
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e disa veprave të tjera penale që ka kryer grupi i grabitësve të ndaluar mbrëmjen e kaluar.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›