E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dubai, i mbytur në borxhe, bën thirrje për qetësi

Thuajse një vit pas shfaqjes së shenjave të para të krizës ekonomike në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, qyteti është shndërruar sot në sinonim të borxhit dhe ka kërkuar një periudhë 6-mujore për të "paguar faturat". Kjo ka shkaktuar një rënie të tregjeve financiare, si dhe ka vënë në një pikëpyetje të madhe reputacionin e Dubait, që është konsideruar "një magnet" për investitorët e huaj. Rënia ka ardhur menjëherë pas deklaratës së të mërkurës nga ana e "Dubai World", motorit të zhvillimit më të rëndësishëm të Dubait, në të cilën u kërkohej kreditorëve një periudhë 6-mujore për shlyerjen e pagesave të borxhit prej 60 miliardë dollarësh. Në total, të gjitha kompanitë dhe rrjetet e mbështetura nga shteti, që njihen ndryshe me nofkën "Dubai Inc.", janë zhytur në një borxh prej 80 miliardësh dhe Emiratet kishin nevojë për një ndihmë financiare këtë vit nga fqinji i pasur Adu Dhabi, kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe. Tregjet e kanë pritur shumë keq një lajm të tillë dhe shqetësimi mbi situatën financiare të Dubait ka krijuar shqetësime në të gjithë rajonin. Një vit më parë, Dubai ishte viktima më e goditur nga kriza financiare për sa i përket vendeve të Gjirit, por sundimtari i Dubait, Sheiku Mohammed bin Rashid Al-Maktoum, vazhdimisht ka qetësuar publikun dhe investitorët, duke thënë se e kishte situatën nën kontroll. Maje edhe një muaj më parë, para gazetarëve, kishte deklaruar se nuk kishte asnjë problem me çështjen e borxheve. Në fillim të nëntorit, madje u tha kritikëve të ndërmarrjeve të Dubait që "ta qepnin gojën". Sot, këta kritikë thonë se sundimtari bën mirë që të ketë një plan rrugëdaljeje nga situata, përndryshe, brenda një kohe shumë të shkurtër, Dubai do të shndërrohet në një vend të trishtuar. Pas vitesh të tëra dyshimesh, vetëm në fillim të 2009, qeveria e Dubait nisi që të ndalonte disa nga projektet më të kushtueshme të saj. Dubai ka pasur plane vërtet të çmendura, sidomos për sa i përket turizmit. Disa prej këtyre planeve arriti që t‘i realizonte si ndërtimin e kullës së "Burj Dubai", që do të çelet në janar e do të jetë godina më e lartë e botës, por shumë projekte të tjerë, përfshi edhe atë të një kulle edhe më të lartë, janë tashmë thjesht projekte në letër ose të lëna përgjysmë. Edhe dje zyrtarët vendas janë munduar që të qetësojnë situatën, duke deklaruar se gjithçka është nën kontroll. Ndërkaq, lajmërimi i menjëhershëm dhe aspak transparent i borxhit, i ka bërë investitorët që të jenë të pasigurt në lidhje me emrat e kompanive që janë më shumë të ekspozuara ndaj humbjeve dhe, mbi të gjitha, sa është vlera e tyre. Tregjet e reja në Lindjen e Mesme dhe gjetkë kanë tërhequr shumë investitorë të ndryshëm e të pasur nga e gjithë bota për vite me radhë. Këtë vit, tregjet financiare të Azisë dhe Amerikës Latine kanë dalë më mirë se ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›