BE, caktohen komisionerët e rinj. Vendet më të mira, shteteve të mëdha
Vendet më të mëdha anëtare të BE-së kanë qenë dominueset e posteve të reja të Komisionit Europian një nga detyrat më të rëndësishme të të cilit do të jetë presioni për krijimin e një sistemi të rreptë rregullator në zona të tilla si shërbimet financiare. Michel Barnier, ish-ministër i Jashtëm i Francës, i cili ka qenë së fundi ministër i Bujqësisë, mori postin e rëndësishëm të rregullatorit të tregut të brendshëm të BE-së, përfshi dhe shërbimet financiare. Kjo, pavarësisht frikës nga disa në Britani dhe në Francë se vendimet e të sapoemëruarit mund të shkaktojnë probleme për Londrën, që është qendra financiare më e madhe e Europës. Ndërkaq, spanjolli Joaquin Almunia, mori postin e fuqishëm antitrust dhe gjermani Guenther Oettinger do të marrë në dorë energjetikën, një zonë me shumë interes për Berlinin, që ka promovuar gjithmonë bashkëpunimin e ngushtë me Rusinë për sa i përket furnizimit me gaz. Dy poste të tjera të rëndësishme kanë shkuar te disa vende më të vogla. Olli Rehn i Finlandës, që ka qenë edhe në Komisionin e fundit, do të marrë në dorë Komisionin e Çështjeve Ekonomike dhe Monetare, ndërsa Karel de Gucht nga Belgjika, gjithashtu një ish-komisioner, do të marrë tregtinë. Ndarja e portofolave i jep fund ditëve të negociatave të tensionuara mes presidentit të Komisionit Europian, Barrozo, dhe kryeqyteteve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Dje, komisioni bëri edhe planin për pesë vitet e ardhshme. Për sa i përket Barrozo-s, ai tha se ua kishte dhënë vendet e punës personave dhe jo shteteve, edhe pse e fshehu faktin se gjatë ditëve të fundit ka pasur negociata dhe biseda telefonike me një numër kryeministrash europianë. Sipas tij, rezultati i përzgjedhjeve është një përzierje mes talentit, gjinisë dhe orientimit. Komisionerët e rinj do të përballen me seanca pyetjesh në Parlamentin Europian dhe do të aprovohen prej tij. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë ata do të fillojnë punë në shkurt.