E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi i Irakut: Ish-ambasadori "Lufta nuk ishte e ligjshme"

Lufta e Irakut nuk "ishte ligjshme", sepse Britania dhe Shtetet e Bashkuara nuk patën mbështetjen ndërkombëtare për sulmin e tyre të vitit 2003. Kështu është shprehur Sir Jeremy Greenstock, ish-ambasadori i Britanisë së Mardhe në Kombet e Bashkuara në OKB, në vitet 1998-2003. Sipas tij, ai beson se lufta nuk ishte e ligjshme, sepse nuk pati mbështetje demokratike. Ai vetë ishte në favor të shtyrjes së luftës të paktën deri në tetor të vitit 2003, për t‘u dhënë inspektorëve të armëve në Irak kohën e duhur për të përfunduar hetimin. Por vendosmëria e Shteteve të Bashkuara për të realizuar sulmin në mars ishte një gjë shumë e vështirë për Britaninë. Ajo nuk kishte forcën e duhur për ta kundërshtuar një fakt të tillë. Sipas ish-diplomatit në OKB mungesa e arritjes së një rezolute të dytë në OKB, nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë, për autorizimin e luftës, bëri që shumë kritikë të luftës të kishin një argument në lidhje me mungesën e legjitimitetit të saj. "Administrata amerikane ishte aq e dhënë pas luftës sa ‘vrau‘ çdo lloj shansi për të arritjen e një rezolute të dytë në OKB për luftën. Jam i bindur se opsioni i sulmit në Irak kërkonte një konsideratë më të madhe", është shprehur britaniku.
Deklaratat e tij janë bërë para panelit hetimor të ngritur për të hetuar legjitimitetin e luftës në Irak, nga qeveria britanike. Ky panel do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, të dëgjojë dëshmitë e të gjithë personave që në vitet para dhe gjatë luftës kishin role të rëndësishme në administratën britanike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›