Durrës, policia në aksion për bllokimin e motorëve të ujit
Përforcim shërbimesh policore dhe masa për një sezon turistik të sigurt, megjithatë problemet vazhdojnë. 12 agjentë të Antikrimit nga drejtori të tjera të policisë së qarqeve kanë mbërritur në Durrës për të mbajtur nën kontroll kontingjentin shëtitës të krimit, ndërkohë që tetë inspektorë të qarkullimit rrugor u janë shtuar forcave të Durrësit për të mbajtur nën kontroll trafikun dhe rreziqet në të. E ndërsa do të nisë një aksion bllokimi, spektaklet me motorë uji në det kanë vijuar, pavarësisht pasojave të rënda që ka përdorimi i tyre në zonat ku lahen pushuesit. Dëmtimi i rëndë në kokë i një pushuesi nga Kosova ka vënë në lëvizje drejtuesit e kufirit në Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë Rajonale të Kufirit për të organizuar një aksion për bllokimin e tyre. Sot pritet që të nisë bllokimi i motorëve që janë pa dokumentacion, si dhe të atyre që përdoren nga persona pa dëshmi aftësie. Nga një vëzhgim i bërë dje në plazhin më të madh dhe më të populluar të vendit, në atë të Durrësit, subjektet që i ofrojnë motorët kundrejt qirasë vazhdojnë normalisht biznesin e tyre, nga i cili nxjerrin fitime të majme, ndonëse janë të palicencuar dhe pothuajse asnjë prej tyre nuk zotëron dëshmi aftësie për drejtimin e këtyre mjeteve lundruese. Kështu, ndonëse tri ditë më parë një pushues u dëmtua rëndë në kokë nga një motor uji dhe autori është ende anonim, në plazh asgjë nuk ka ndryshuar. Pushuesit tashmë janë mësuar të bashkëjetojnë me rrezikun në det dhe bashkë me të edhe me vjedhjet, trafikun e rënduar dhe mungesën e mbikalimeve për të kapërcyer rrugën, çka e vë në diskutim nivelin e sigurisë në plazhe. Për të rinjtë, përfshirë këtu dhe adoleshentë 14-15 vjeçarë, motorët e ujit mbeten një argëtim i preferuar, pavarësisht kostos që kanë. Një orë shëtitje dhe spektakël i çmendur me ta kushton rreth 10 mijë lekë të reja. Pavarësisht qirasë së lartë, këto mjete janë të pëlqyera nga shumë prej pushuesve meshkuj. Drejtori i Policisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Durrës, Naim Manuka, thotë për gazetën "Shqip" se në kushtet e krijuara po merren masa konkrete për rritjen e sigurisë në plazhe nëpërmjet patrullimit me një skaf të shpejtë dhe njëkohësisht është organizuar puna për nisjen e një aksioni që synon të disiplinojë lëvizjen e tyre në det. Një shkresë zyrtare u është nisur të gjitha njësive vendore bregdetare që të përcaktojnë zonat detare në territoret e tyre ku mund të ushtrohen sportet e ujit me motorë, larg pushuesve dhe në thellësi, në mënyrë që t‘u jepet mundësia e këtij argëtimi amatorëve të tyre. Ndërkaq, prej tri ditësh në plazhin e madh ka nisur dhe funksionimi i rojave të plazhit, ndonëse vetëm në dy prej kullave të vëzhgimit vihet re prania e tyre. Të tjerat janë të braktisura dhe strehë e tregtarëve ambulantë, pa mundur të mbajnë plotësisht nën kontroll hapësirën detare dhe të shmangin rrezikun nga mbytjet e incidentet e tjera. Pushimet në plazh sjellin me vete dhe mjaft shqetësime shëndetësore për turistët. Çdo ditë në ambulancën e plazhit paraqiten rreth 30 raste për trajtimin e infeksioneve të lëkurës, pickimin nga insektet apo temperaturë të lartë, si rezultat i ndryshimit të ambientit. Një tjetër problem mbetet trafiku i rënduar rrugor.
ZMK: Policia të
marrë masa urgjente
Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve ka reaguar dje zyrtarisht lidhur me sigurinë në plazhe, për sa i takon kontrollit e mjeteve ujore në plazh. Sipas ZMK-së, kushtet në të cilat ndodhen turistët dhe pushuesit në shumë plazhe të Shqipërisë janë të rrezikshme, kjo si pasojë e mungesës së standardeve minimale të sigurisë. Ngjarja më e fundit është rasti ku qytetari kosovar 38-vjeçar, Sabit Kuçi, u aksidentua rëndë nga një motor uji në plazhin e Durrësit. "Asnjë forcë policie apo sigurie nuk ka vendosur ndonjë standard për qarkullimin e këtyre mjeteve ujore dhe askush nuk i kontrollon këto mjete që shqetësojnë plazhistët me shpejtësinë me të cilën lëvizin", sqaron zyrtarisht Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit. Sipas ZMK-së, Ministria e Brendshme dhe organet e pushtetit lokal duhet të marrin masa të menjëhershme për të normalizuar situatën.