E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier: Administratorin e vrava kur më shtyu nënën

Oltion Toro dje në Gjykatë

FIER – Gjykata e Fierit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 36-vjeçarin Oltion Toro, i cili vrau me armë administratorin e pallatit ku banonte dhe plagosi rëndë bashkëshorten e tij. Prokurori Genci Mane ka paraqitur provat dhe ka kërkuar nga gjyqtari Roland Jaupaj që të lërë në burg pa afat autorin e ngjarjes së rëndë. Ndërsa gjatë zhvillimit të seancës i akuzuari ka rrëfyer edhe si ndodhi ngjarja. Sipas tij, ka qenë goditja që viktima i kishte bërë nënës së autorit ajo që e kishte detyruar të ndërmerrte këtë veprim. “Më erdhi dhe më kërkoi lekët e ashensorit. I thashë që nuk ia jepja, pasi nëna ime ishte e vetme në familje dhe se nuk e përdorte asnjëherë ashensorin, por edhe shkallët i pastronte vetë. Ai ishte bërë i bezdisur duke na kërkuar lekë sa herë që na shihte. Edhe këtë ditë më erdhi në derë dhe më kërkoi lekët. Unë isha i mërzitur, pasi, po ato dy-tri ditë na kishin ardhura fatura të CEZ-it dhe të ujit të pijshëm me shuma lekësh të pamotivuara. Kjo ishte një arsye më shumë që të nxehesha dhe kështu, pasi u shamë e u grindëm, u goditëm me njëri-tjetrin. Erdhi dhe u bashkua në këtë sherr edhe nëna ime e gruaja e Nasit dhe të katërt u përleshëm për pak minuta. Në një moment Nasi më shtyu nënën time, Lirinë dhe kjo më errësoi sytë dhe më bëri që ta humbisja kontrollin fare. Duke qenë se nëna jetonte e vetme kur unë jam në Greqi, m’u duk si njeri pa njeri. M’u dhimbs nëna shumë. Pastaj ata ikën dhe unë shkova dhe i qëllova me armë në shtëpinë e tyre”, ka qenë kjo deklarata e bërë dje në sallën e gjyqit nga autori 36-vjeçar, Oltion Toro. Gjykata vendosi masën e sigurisë burg pa afat për Toron. Në sallë ka qenë e pranishme vetëm nëna e autorit, Liri Toro. Kjo e fundit gjatë gjithë kohës që zhvillohej seanca ka qarë dhe lutej që ta linin të lirë të birin.     m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›