Durrës, procesi i legalizimeve hyn në hulli
DURRËS – Nis pagimi i taksave të shërbimit të ALUIZNI-t. Taksa kushton 4000 lekë dhe deri tani, sipas të dhënave të marra pranë kësaj agjencie, është paguar nga rreth 1000 qytetarë. Ajo i hap rrugën fillimit të procedurave për të legalizuar banesën e ndërtuar pa leje. Drejtori i ALUIZNI-t në Durrës, Andi Lila, informoi se ka mbi 2 javë që një numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë arkëtuar shumën 4 mijë lekë, shumë e cila është një nga taksat që duhet të paguajë vetëdeklaruesi i objektit pa leje për të përfituar nga ligji i legalizimeve. Sipas Lilës, tashmë ka filluar një proces intensiv, pasi 350 vetëdeklarues kanë në duart e tyre dokumentacionin për të nisur pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe me përfundimin e saj do të nisë procesi i hipotekimit dhe dhënies së certifikatës së pronësisë së ndërtesës dhe të tokës. Lila pohoi se qeveria ka bërë transaksionin e tokës për dy zona kadastrale të cilat gjenden në ish-Kënetë. Sipërfaqja e tokës ku janë ndërtuar objektet, me këtë vendim të qeverisë ka kaluar nga tokë bujqësore në tokë truall, veprim i domosdoshëm për të shkuar drejt hipotekimit.
Javën e ardhshme pritet që të nisë edhe pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila përbën, sipas të dhënave të marra, rreth 1,2 % të kostos së ndërtimit të një objekti. Këtë e ndihmon edhe përcaktimi që i është bërë zonave dhe vlerave të tokës në çdo zonë. Në qytetin e Durrësit kostoja e ndërtimit për 1 metër katror është llogaritur 28 800 lekë. Kjo shumë do të shumëzohet me sipërfaqen e objektit dhe më pas me 1,2 për qind. Një përllogaritje e tillë do të nxjerrë përfundimisht se sa është taksa e ndikimit në infrastukturë, e cila në një ndërtim me sipërfaqe deri në 100 metër katrorë nuk mund të jetë më shumë se 34 mijë lekë. Pra, qytetari vetëdeklarues që ka paguar 4 000 lekëtaksën e shërbimit dhe pas saj edhe taksën e ndikimit në infrastukturë, e ka të hapur rrugën për të marrë tapinë e shtëpisë nga zyra e regjistrimit të pasurisë. Drejtori Lila tha se “qytetari paguan taksën e shërbimit për të mos u endur nëpër dyert e administrative, pasi do të jenë vetë punonjësit e ALUIZNI-t që do të kalojnë të gjithë dokumentacionin në institucionet përkatëse dhe po ata do t’ia dërgojnë në banesë vetëdeklaruesit tapinë e shtëpisë”.
Mungesa e adresave
Mungesa e adresave të rregullta që ka ardhur edhe nga anarkia e ndërtimeve në Durrës, si dhe vëmendja e paktë nga pushteti lokal ka bërë që të shfaqen edhe vështirësite e para nga grupet e punës së legalizimit të banesave. Po këto vështirësi nuk janë vetëm në kënetë, por edhe në zonat e shumta të qytetit. Sipas drejtorit Lila në gjetjen e adresës së vetëdeklaruesit, jo vetëm në Kënetë, por edhe në lagje të tjera të Durrësit, ka probleme. “Kënetë, Porto Romano, lagjja mbi Spitallë, banesat prapa ujësjellësit etj nuk kanë adresë të rrugëve dhe për këtë bashkia duhet të përpiqet të gjejë një zgjidhje”,- tha Lila. Për kapërcimin e kësaj vështiresie grupeve të ALUIZNI-tu është dashur të konsultohen me aerofotot sa herë që kërkonin një adresë, gjë që e vështirëson dhe ngadalëson procesin.