Superstrada e vdekjes, 2008: 24 të vdekur, 69 të plagosur
Faktet flasin për një tragjedi të vertetë, gjatë 10 viteve të fundit në këtë segment janë regjistruar 1672 aksidente
Lezhë - E konsideruar si “superstrada e vdekjes”, aksi rrugor që përshkon qarkun e Lezhës vazhdon të mbetet në të njëjtat parametra aksidentesh. Faktet flasin për një tragjedi të vertetë, ku aksidentet kanë marrë shumë jetë njerëzish. Gjatë 10 viteve të fundit janë regjistruar 1672 aksidente, ndërsa për shkak të dinamikës së tyre para viteve 2005, disa aksidente të lehta nuk janë regjistruar. Nga ky numër aksidentesh të ndodhura, 497 prej tyre kanë pasoja të rënda, ndërsa 1435 të tjerë vetëm me dëme materiale. Bilanci i këtyre aksidenteve nga viti 1999 deri në mesin e vitit 2008 flet për 249 persona të vrarë dhe 518 të plagosur.
Shifrat flasin...
Nga të gjitha këto aksidente, numrin më të madh e zë Lezha me 237 aksidente me 121 persona të vrarë dhe 221 të plagosur, më pas vjen Kurbini me 191 aksidente, 90 persona të vrarë dhe 209 të plagosur, ndërsa Mirdita ka shënuar 69 aksidente me pasojë vdekjen e 38 personave dhe plagosjen e 91 të tjerëve. Këto shifra janë alarmante kur bëhet fjalë për viktima të aksidenteve rrugore, kur numri i tyre kalon 1435, me një mesatare 1 në çdo 3 ditë, ndërsa çdo 14 ditë një viktimë shënohet në rrugët e qarkut Lezhë.
Problemet
Vënia në funksion e superstradës në vitin 2002 solli bashkë me zhvillimin edhe shtimin e aksidenteve. Kjo rrugë në të gjithë gjatësinë ka mangësi funksionale të saj, si: mungesë të mbikalimeve, nënkalimeve, vendqëndrimeve, duke u bërë në këtë mënyrë tepër e rrezikshme si për drejtuesit e mjeteve, ashtu edhe për këmbësorët. Në të gjithë gjatësinë e këtij aksi të superstradës që përshkon qarkun e Lezhës ka mbi 15 degëzime, ndërsa numri i daljeve dhe hyrjeve është shumë më i madh. Çdo subjekt privat, banesë apo edhe tokë bujqësore ka dalje dhe hyrje në superstradë. Edhe pse prej kohësh është bërë publike problematika që ka në mungesën e sinjalistikës dhe degëzimeve të shumta në superstradën Fushë-Krujë - Lezhë, deri më tani nuk është marrë asnjë masë për ndërhyrje apo riparim të saj, duke e lënë në të njëjtën gjendje që u ndërtua dhe duke vazhduar të sjellë të tjera viktima. Një element tepër i rëndësishëm i cili nuk po gjen zgjidhje është edhe mungesa e informimit, kryesisht në zona rurale, duke vijuar të jetë në nivele të ulëta. Krahas kësaj, mosprofesionalizmi i drejtuesve të mjeteve, veçanërisht atyre me vjetërsi nga 0 në 5 vjet, duke qenë edhe shkaktarët kryesorë të aksidenteve.
Policia
Në këtë situatë përmendet edhe mungesa e mjaftueshme e efektivave të policisë në shërbimet rrugore, si edhe mungesa e mjeteve lëvizëse për ta. Në disa raste është përmenduar edhe një mosorganizim i mirë i shërbimeve të policisë rrugore, paraqitur në kërkesë të ulët llogarie dhe profesionalizëm i ulët i punonjësve të policisë. Kjo ka sjellë një pozicionim në vende pa efektshmëri për normalizimin e qarkullimit, ose në disa raste ata nuk kanë një qëllim të caktuar. Shefi i qarkullimit rrugor në komisariatin e Lezhës, Maxhun Hajdari, thotë se nuk mjaftojnë masat e marra nga ky sektor për t’i dhënë fund kësaj situate, ndërsa kërkon bashkëpunim më të ngushtë me drejtorinë e rrugëve. Hajdari vëren si arsye kryesore ndërprerjet e shpeshta të këtij aksi, por edhe lëvizjen e mjeteve te ndryshme tej normave të lejuara. Në këtë segment qarkullojnë thuajse të gjitha mjetet e transportit, ndonëse lëvizja e disa prej tyre është në më pak se 40 km në orë, shpejtësia minimale e lëvizjes në këtë superstradë. Sipas Hajdarit, kohët e fundit drejtuesit e motoçikletave janë kthyer në shkaktarët kryesorë të aksidenteve. Vetëm brenda një dite javën e kaluar në superstradën që përshkon qarkun e Lezhës u shënuan 4 aksidente me plagosjen e 5 personave, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë. Në të gjitha këto aksidente shkak ka qenë lëvizja me shpejtësi dhe ndërprerja e rrugës në mënyrë të menjëhershme.
Ndëshkimet
Për të parandaluar një fenomen të tillë drejtuesit e policisë rrugore kanë marrë një sërë masash ndaj kundravajtësve të rrugës, duke shënuar një numër prej 172 058 masash administrative në një vlerë totale prej 158 484 710 lekësh. Edhe numri i automjeteve të bllokuara në periudhën 1999 - 2008 ka qenë tepër i madh, plot 4520, dhe shumica e tyre janë si pasojë e aksioneve të policisë. Masat e policisë rrugore janë përqendruar edhe në heqjen e lejeve te drejtimit duke bërë që 1523 drejtues të penalizohen gjatë kësaj periudhe.
Viti Nr.aksidenteve Të vdekur Të plagosur
1999 20 17 20
2000 32 24 25
2001 35 24 32
2002 33 16 41
2003 48 27 48
2004 79 23 88
2005 60 32 65
2006 67 27 67
2007 87 40 86
2008 (9 muaj) 60 24 69
Shkaqet
1. Lëzivja me shpejtësi jashtë normave të lejuara
2. Parakalimet e gabuara
3. Mosmbajtje e krahut të korsisë
4. Ecjet pa qenë të pajisur me dëshmi aftësie
5. Përdorimi i pijeve alkolike
6. Mospërdorimi i mjeteve mbrojtëse
Problemet e rrugës
1. Mungesa e sinjalistikës
2. Mungesë të mbikalimeve
3. Mungesë të nënkalimeve
4. Mungesë të vendqëndrimeve,
5. Në të gjithë gjatësinë e këtij aksi ka mbi 15 degëzime
6. Numri i daljeve dhe hyrjeve është shumë më i madh (çdo subjekt privat, banesë apo edhe tokë bujqësore ka dalje dhe hyrje në superstradë)