Krimet e vjetra, ja pse nuk zbardhen 500 dosjet e bujshme
TIRANË- “Hetuesit ose e zbardhin një ngjarje, ose janë të paaftë. Rrugë të ndërmjetme nuk ka”. Në fakt, këtë filozofi amerikane, hetuesit shqiptarë e hedhin poshtë duke rrëfyer se ka shumë arsye se pse në sirtarët e policisë kanë mbetur 500 ngjarje të rënda të pazbardhura, të cilat kanë ndodhur në 16 vitet e fundit në Tiranë. Mungesa e materialeve, koha e kufizuar prej dinamikës së ngjarjeve ditore apo “zhdukja” e dëshmitarëve duket se janë pengesa të pakapërcyeshme prej oficerëve të policisë, për të zbardhur dosjet e vjetra.Janë rreth 500 ngjarje si vrasje, plagosje të rënda apo tentativa vrasjesh të cilat i janë rikthyer policisë së kryeqytetit për dokumentimin e plotë të tyre. Këto ngjarje janë pa autor dhe nuk dihet nëse do të mund të zbardhen ndonjëherë, pavarësisht dëshirës së mirë të hetuesve. Rreth një vit më parë, drejtuesit policisë urdhëruan zyrën e vrasjeve pranë policisë së Tiranës të rihapnin vrasjet e ndodhura 16 vitet e fundit me qëllim dokumentimin e plotë të tyre e një vit më pas, pak prej tyre kanë autorë në pranga.
Arsyet
Urdhrat e njëpasnjëshëm të drejtuesve të dikasterit blu për të zbardhur ngjarjet e vjetra vunë në lëvizje oficerët e policisë së Tiranës për të shfletuar me kujdes të paktën dosjet e ngjarjeve më të bujshme. Por deri më tani, asnjëra prej tyre nuk është dokumentuar. Mungesa e materialeve është një nga faktorët e cila krijon avari në punën e oficerit të policisë. “Nuk ka program TIMS në zyrat e inspektorëve, nuk ka as letër A4 për të hedhur informacionet, nuk ka shkëmbim informacioni, pra mungojnë materialet që inspektori të punojë për të zbardhur një dosje”, -tregojnë për “Shekullin” burimet policore. Një pjesë e mirë e dëshmitarëve të ngjarjeve të vjetra janë larguar jashtë shtetit dhe në asnjë rast nuk është mbuluar financiarisht nga dikasteri blu një inspektor për t’i kërkuar e për t’u marrë deklarime dëshmitarëve, atje ku ata ndodhen. Por për të punuar me qëllim gjetjen e provave të reja, gjetjen e dëshmitarëve apo bindjen e tyre për të dhënë dëshmi duhet kohë, gjë e cila iu mungon oficerëve të cilët janë të zënë edhe me dinamikën e ngjarjeve të ditës.
Mungesa e provave
Oficerët e policisë përpiqen të gjejnë gabimet e autorëve të ngjarjes në skenën e krimit për të arritur në zbulimin e identitetit të tyre. Por kjo gjë është tepër e vështirë për oficerët të cilët shprehen se me kalimin e viteve, ka dosje të cilave u kanë humbur provat, disa janë administruar keq nga pakujdesia e hetuesve në vendngjarje. Ndërkohë që shumë ngjarje të ndodhura vite më parë nuk kanë dëshmitarë, disa prej tyre janë larguar jashtë vendit e disa të tjerë nuk preferojnë të flasin. Inpektorëve u duhet kohë e gjatë për të çuar një dosje të vjetër deri në fund me qëllim dokumentimin e plotë të saj. Ndërrimi i oficerëve të policisë bën që ai të dorëzojë dosjet ende pa i përfunduar, duke i kaluar një inspektori tjetër të cilit i duhet sërish kohë që ta studiojë atë e më pas të angazhohet për vazhdimin e saj. Në këto kushte, 500 dosjet e bujshme vazhdojnë të enden arkivave, ndërsa së paku 500 autorët e tyre ecin lirisht mes nesh, pa vuajtur pasojat e krimeve të kryera. Nga vrasja e Kozeta Hysenit tek ekzekutimi i Vilës apo Lames mes krimeve të vjetra
Vrasjet pa autorë, viktimat femra dhe biznesmenë
TIRANË- Në listën e gjatë të vrasjeve, të cilat ende nuk kanë autorë krimet më të rënda kanë për viktima femra ose biznesmenë. Nga duart e oficerëve të policisë kriminale po shfletohen dosjet në të cila janë regjistruar vrasjet e disa femrave të ndodhura vitet e fundit në Tiranë. Dosja, “Kozeta Hyseni”, “ Vajza e Zall-Herrit” apo “Erieta Avdyli”, apo edhe zhdukja misterioze e Irena Selit, i është kthyer policisë së Tiranës për të identifikuar autorët e ekzekutimit të tyre. Ndërkohë, vrasjet e tipit mafioz pas viteve 2000 në Tiranë sollën eliminimin e disa biznesmenëve si Florian Vila, Vajdin Lame, Agim Reçi, Edmond Malollari etj. Larje hesapesh, konkurrenca, konflikte, ishin disa nga motivet dyshuese që fillimisht policia hetoi fill pas këtyre ngjarjeve të ndodhura në kohë dhe vende të ndryshme në Tiranë. Por asnjëherë nuk u provuan këto shkaqe, duke mbetur bosh motividhe autorët e këtyre ekzekutimeve të frikshme në kryeqytet. Jo vetëm kërkesa intensive e familjarëve të viktimave por edhe zyrtarët e dikasterit blu kishin prioritet zbardhjen e ngjarjeve të vjetra, gjë e cila detyroi zyrën e vrasjeve pranë drejtorisë së policisë së Tiranës të shfletojë edhe njëherë nga e para dosjet e tyre të cilat deri një vit më parë ishin fashitur. Megjithatë, edhe ky vit që po lemë pas nuk solli ndonjë gjë të re për krimet e së shkuarës.
PROVAT
Gjurmët e gishtave të inspektorëve në ngjarje
Në fillim të këtij viti, të gjithë inspektorëve të policisë iu morën shenjat e gishtërinjve me pretendimin për t’i administruar ato në dosjet e tyre, të cilat i kanë dorëzuar në fillim të detyrës së tyre. Por më pas këto shenja i kaluan SHKB-së. Gjatë krahasimit të shumë prej tyre rezultoi se shenjat e gishtërinjve të shumë inspektorëve rezultonin në provat e sekuestruara në disa ngjarje të ndodhura në kryeqytet. “Inspektorët nga pakujdesia apo paaftësia prekin provat në vendngjarje, duke lënë dhe shenjat e tyre të gishtërinjve. Në këto kushte prisheshin provat pasi humbisnin shenjat e autorëve dhe gjatë krahasimeve shume inspektorë janë përballur më pas me oficerët e policisë të cilët hetonin ngjarjen”, -tregojnë për gazetën burime nga policia.
Florian Vila
Më 9 prill të vitit 2003 u ekzekutua nga persona të panjohur biznesmeni Florian Vila. Vrasja ndodhi në hyrje të vilës, së biznesmenit 36-vjeçar, që ndodhet në periferi të Tiranës. Autorët e vrasjes së pronarit të firmës “FLEVI”, Florian Vila, janë ende mister. Megjithëse kanë kaluar më shumë se 5 vjet nga vrasja e bosit të hekurit, policia ende nuk ka mundur të zbulojë atentatorët. Dosja e kësaj ngjarjeje ndodhet në stivën e shumë dosjeve të pa zgjidhura në policinë e kryeqytetit, në radhë për tu rijetuar me qëllim dokumentin e plotë të saj.
Kozeta Hyseni
Më 18 shkurt të vitit 1999 u ekzekutua në Qytetin Studenti në Tiranë, studentja nga Vlora, Kozeta Hyseni. 20-vjeçarja që studionte në degën Gjuhë-Letërsi, u masakrua në hyrje të konviktit të saj në orët e vona të natës. Trupi i 20-vjeçares u gjet në mëngjes nga kalimtarë të rastit të cilët lajmëruan policinë. Kanë kaluar 9 vjet dhe ende nuk dihen personat që masakruan studenten vlonjate. Policia hetoi vrasjen por nuk mundi të zbulonte autorët, dhe pak kohë më parë dosja e kësaj ngjarjeje u rihap sërish me qëllim, gjetjen e ekzekutorëve, por deri më tani ata kanë mbetur mister.
Edmond Malollari
Më 14 dhjetor të vitit 2005, ekzekutohet në hyrje të pallatit të tij në presidenti i “Tomorrit” të Beratit, Edmond Malollari. Biznesmeni po ngjitej për në banesën e tij që ndodhej pranë stadiumit “Dinamo” në Tiranë, kur persona të panjohur e ekzekutuan me një plumb në kokë duke e lënë të vdekur në vend. Dy ditë pas ngjarjes policia ndaloi dy persona si autorë të dyshuar të vrasjes së Malollarit, por ata u lanë të lirë për mungesë provash. Dosja e vrasjes së Edmond Malollarit ndodhet në “duart” e hetuesve për tu zbardhur tërësisht.
Agim Reçi
Më 15 mars të vitit 2007 u ekzekutua me pesë plumba në trup, administratori i një bingoje në Tiranë, Agim Reçi. Biznesmeni 45-vjeçar u vra në afërsi të banesës së tij pranë rrugës së “Elbasanit” në kryeqytet. Reçi u qëllua teksa po kalonte pranë një koshi plehrash, dhe kalimtarët e rastit menduan për ndonjë endacak, duke lajmëruar policinë me vonesë, gjë e cila favorizoi autorët të largoheshin qetësisht. Pavarësisht hetimeve intensive policia nuk mundi të identifikonte dhe arrestonte autorët e vrasjes së Agim Reçit të cilët janë ende mister.