E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushati, toka që kthen në atdhe emigrantët shqiptarë

Nga 14 fshatrat e komunës së Bushatit, migrimi i brendshëm drejt zonave të tjera është zero ndërsa ka banorë që nga zona të tjera, si: Puka, Kukësi, Shllaku etj, kanë ardhur për të jetuar e punuar aty. Madje, vetëm tre vitet e fundit, mbi 100 emigrantë të kësaj zone që prej vitesh jetonin familjarisht jashtë vendit, janë kthyer me familjet e tyre dhe janë vendosur aty, duke investuar paratë e fituara në biznese të ndryshme

Shkodër - Vitet e fundit vazhdimisht ndeshemi me fenomenin e migrimit të brendshëm të popullsisë, ku banorë kryesisht të zonave rurale lëvizin drejt zonave urbane në kërkim të një jete më të mirë. Përveç emigracionit jashtë vendit, migrimi i brendshëm jo rrallë herë është shoqëruar me zhgënjim të atyre banorëve që kanë lënë fshatin me shpresën se në qytet do të gjejnë kushte më të mira jetese dhe punë. Në Shkodër, fenomeni është përhapur si kudo në vend, por ka zona në të cilat banorët nuk lëvizin, por vendosin të jetojnë në vendin e tyre, të punojnë tokën e të shesin prodhimet, edhe pse vështirësitë janë të pranishme. Tipik është rasti i komunës së Bushatit, nga 14 fshatrat e së cilës migrimi i brendshëm drejt zonave të tjera është zero ndërsa ka banorë që nga zona të tjera, si: Puka, Kukësi, Shllaku etj, kanë ardhur për të jetuar e punuar aty. Madje, vetëm tre vitet e fundit, mbi 100 emigrantë të kësaj zone që prej vitesh jetonin familjarisht jashtë vendit, janë kthyer me familjet e tyre dhe janë vendosur aty, duke investuar paratë e fituara në biznese të ndryshme. Banorët e Bushatit shprehen se një element që ka ndikuar që ata të jetojnë e punojnë në vendin e tyre është fakti se 3047 ha tokë e punueshme në këtë zonë është nën vaditje e kullim. Kjo është arritur në sajë të një projekti të komunës me Bankën Botërore, e cila ka financuar rreth 2 milionë dollarë për rehabilitimin e sistemit të vaditjes e kullimit të tokës në këtë komunë. Prania e fshatrave pranë autostradës ka bërë që të investohet në rrugët nga qendrat e tyre në autostradë, disa prej të cilave kanë përfunduar e disa janë në proces.

Emigrantët e kthyer

Çesk Suka ka pak kohë që është rikthyer në Bushat. Emigrant në Itali prej 15 vitesh, ai ka vendosur që fitimet e siguruara atje t’i investojë në zonën e tij. “Kam jetuar 15 vjet në Romë bashkë me familjen. Vendosa të kthehem dhe të investoj këtu. Jam i kënaqur, jo vetëm se ndodhem pranë shtëpisë, por dhe se këtu kam punë. Bashkëpunimi me komunën ka qenë i mirë dhe nuk e kam pasur të vështirë me procedurat për hapjen e biznesit tim, me profilin mekanik, buzë autostradës. Këtu ka punë dhe jetohet. Përveç kësaj, pasi u ktheva, gjeta dhe përmirësim në infrastrukturën rrugore, në furnizimin me ujë e energji elektrike, pasi këtu është ndërtuar një nënstacion i ri elektrik”,- thotë Suka, i cili shton se jashtë vendit tani do të shkojë vetëm si turist, pasi punën e ka këtu.

Përpjekjet për zhvillim

Para disa muajsh, banorë të kësaj zone zhvilluan një takim në komunë me qëllim organizimin e tyre në grupe interesi, krijimin e departamenteve bujqësore në komunë për t’i shërbyer më mirë fermerëve të zonës, reformimin e shërbimeve bujqësore, dhe kjo në kuadër të një projekti të përbashkët me fondacionin holandez. Partneritet për Zhvillim, që financohet nga ambasada holandeze në Tiranë, dhe ka si qëllim nxitjen e prodhimit vendas, krijimin e mundësive për fermerët që, duke u grupuar në fusha të ndryshme të aktivitetit të tyre, të shtojnë prodhimin dhe të realizohet marketingu i tij. Sipas projektit të përgatitur nga fondacioni holandez, do të jetë përfaqësia e këtyre grupeve ajo që do të hyjë në marrëdhënie me administratën e komunës, duke përfaqësuar interesat e gjithë fermerëve dhe prodhimeve të tyre dhe duke mundësuar marketingun, një mungesë kjo e ndjeshme në tregun e prodhimeve bujqësore.

Problemet janë të pranishme

Por fermerët shprehin dhe pakënaqësi lidhur me cilësinë e plehrave kimike që blihen e përdoren prej tyre, ndërsa nuk ngurrojnë të fajësojnë shtetin për indiferentizmin që ai ka ndaj këtij problemi. Insektet e ndryshme dhe sëmundjet e bimëve janë të pranishme çdo vit në parcelat e mbjella me bimë, ndërsa plehrat që tregtohen jo vetëm nuk janë të kontrolluar e analizuar, por shpeshherë shkaktojnë dëmtim të bimëve. Vlash Gjondrekaj, fermer në Bushat, shprehet se plehrat kimike që vijnë nga importi nuk njihen nga ata që i shesin dhe as nga ata që i blejnë. Kjo pasi lejohen të tregtohen pa u pajisur me të dhëna për përbërjen e tyre, në mënyrë që të dihet përmbajtja dhe efekti që shkaktojnë në bimë të ndryshme. Sipas fermerëve, në drejtorinë e bujqësisë ka laboratorë, por ata nuk janë në gjendje të saktësojnë përmbajtjen e lëndëve kimike që tregtohen për t’iu hedhur bimëve. Një tjetër problem shqetësues janë çmimet e pakontrolluara të tregut, ndërsa shteti nuk ndjek politika ndërhyrjeje për të rregulluar tregun.

Vazhdimësia

Banorët e Bushatit shprehen optimistë për të ardhmen e tyre, edhe pse problemet janë të pranishme. Kjo është një zonë ku punohet dhe jetohet. Një tjetër fakt me kuptim është dhe ai se këtu nuk ka treg të tokës, ajo nuk shitet, por përdoret nga vetë banorët. Dhe të rinjtë kanë mundësi të shkollohen, pasi ka tre shkolla të mesme dhe disa 9-vjeçare, ku thuajse të gjitha janë rikonstruktuar ose ndodhen në proces. Sipas të dhënave që disponon komuna Bushat, në fshatin me të njëjtin emër jetojnë 56 të diplomuar në fusha të ndryshme, në Stajkë janë 41 të tillë, në Barbullush 49 të arsimuar me shkollë të lartë, në Kosmaç janë 20, në Kukël 22 etj. Këtë vit janë mbi 70 nxënës që kanë aplikuar për shkollë të lartë. Mbi 200 biznese ushtrojnë aktivitetin e tyre këtu, ndërsa zona përveç investimeve në infrastrukturën rrugore, arsim, shëndetësi, energjitikë, vaditje e kullim, ka projekte të pritshme për të ardhmen, siç janë ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës, i Landfilldit në kodrat e Shkjezës, rehabilitim të rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, përfundim të rrjetit të ujësjellësve në çdo fshat, ku më shumë se gjysma tashmë kanë ujë të pijshëm, ndriçim të çdo rruge, si dhe trotuare.

Bushati

Komuna e Bushatit është vetëm 12 km larg qytetit të Shkodrës dhe ka 6800 ha tokë të punueshme dhe një popullsi prej23 000 banorë. Gjeografikisht, ajo kufizohet me autostradën Shkodër – Lezhë, pjesë e superstradës Shkodër – Tiranë dhe ka një sipërfaqe rreth 100 km katror. Resurset natyrore të zonës, tradita e saj në prodhimet bujqësore e blegtoriale, prania e lumit Drin në disa fshatra të saj dhe fakti që nga 6085 ha tokë arë, 5645 ha janë tokë fushore dhe vetëm 440 ha janë tokë kodrinore, janë disa nga shkaqet që kanë ndikuar në faktin që banorët e Bushatit nuk preferojnë të zhvendosen për të jetuar diku tjetër. Aktiviteti kryesor i tyre është bujqësia në funksion të blegtorisë, ndërsa bizneset kryesore të mundësuara nga emigranët e kthyer janë në tregti, shërbime, agropërpunim, përpunim druri etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›