Kuvend, sot mocioni me debat për çështjen Fazlliç
Kryeministri, Sali Berisha, do t’u përgjigjet pikëpyetjeve të ngritura lidhur me aktivitetin e Damir Fazlliçit në Shqipëri
TIRANË- Kryeministri, Sali Berisha, pritet të japë sot përgjigjet e munguara për çështjen “Fazlliç”, në mocionin me debat që do të mbahet në Kuvend. Ashtu siç është paralajmëruar, pas fjalës së shkurtër që pritet të mbajë Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, Kuvendi do të vijojë me pikën tjetër më të debatuar, atë të mocionit me debat, të kërkuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Partia më e madhe në opozitë do të kërkojë një informacion të detajuar nga kryeministri Sali Berisha, lidhur me lidhjet e qeverisë që ai drejton me Fazlliçin, por edhe për raportet dhe presionet e krijuara nga qeveria me institucionet e pavarura. Prej kohësh, Partia Socialiste ka ngritur pyetjet publike ndaj kryeministrit Sali Berisha, duke pretenduar se me përgjigjet e tyre do të mund të zbardhet sadopak tymnaja që mbulon marrëdhëniet disavjeçare të biznesmenit serbo-boshnjak me pjesë të veçanta të mazhorancës së sotme. Përmes pyetjeve të ngritura publikisht nga zyrtarë të lartë, PS-ja kërkon të dije konkretisht se cili është roli i Damir Fazlliçit në Kompaninë “BG&R” dhe në marrëdhëniet me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike; sa është vlera e kontratës midis “BG&R” dhe Sali Berishës për fushatën e zgjedhjeve të vitit 2005; cili ka qenë roli i Damir Fazlliçit gjatë fushatës zgjedhore 2005 dhe a është paguar ai për këtë rol; cili është aktualisht roli i Damir Fazlliçit pranë qeverisë shqiptare dhe vetë Sali Berishës; sa herë dhe me çfarë statusi ka qenë Damir Fazlliçi në zyrën e Berishës dhe cilat janë projektet për të cilat ka negociuar ai me qeverinë shqiptare. Socialistet pritet të kërkojnë gjithashtu edhe llojin e aktivitetit që Damir Fazlliç ka kryer në Shqipëri përmes pesë kompanive të ngritura. Thuajse një muaj më parë, Partia Socialiste bëri zyrtare nismën e saj për të thirrur në një mocion me debat, kryeministrin Sali Berisha, për çështjen “Fazlliç”. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, dorëzoi pak kohë më parë në kryesinë e Kuvendit kërkesën përkatëse, shoqëruar me listën e pyetjeve, ku kryeministrit i kërkohet të zbardhë misteret që fshihen pas miqësisë së tij të shprehur edhe publikisht me biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç. Po sot, PS-ja pritet të publikojë edhe një faksimile të lëshuar nga ish-Ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, për Gërdecin, në të cilën shkruhet se përmbajtja e saj i vihet për dijeni edhe Shkëlzen Berishës, djalit të kryeministrit.