Zbulohen celularë në burgun e sigurisë së lartë
Nga ana e policisë nuk është bërë i ditur numri i celularëve dhe as mënyra e futjes së tyre në institucion
BURREL – Një kontroll i ushtruar në burgun e sigurisë së lartë në Burrel paraditen e djeshme zbuloi dhe bllokoi disa celularë mes personave që vuajnë dënimin në këtë institucion. “Privilegjin” për të zotëruar celularë mësohet se e kanë pasur të burgosurit e zonës D, e cilësuar si zona ku qëndrojnë dhjetëra të burgosur që kanë marrë dënim të përjetshëm. Nga ana e burimeve nuk jepet asnjë shifër lidhur me numrin e celularëve të sekuestruar në brendësi të burgut të sigurisë së lartë dhe gjithashtu nuk bëhet e ditur mënyra se si ato janë futur deri në këtë zonë.
Zbulimi
Kontrolli në zonën D të burgut të sigurisë së lartë u zhvillua të dielën rreth orës 08:30. Pas kontrolleve rutinë ku nuk ishte zbuluar asgjë, në burg ka pasur sinjalizime për aparate celulare që mund të kalonin në duart e të burgosurve. Një informacion i tillë ka çuar në një kontroll të papritur në këtë zonë. Si rrjedhojë është arritur që të zbulohet një numër i konsiderueshëm i aparatëve celularë. Nga ana e burimeve të brendshme u shtua se ende nuk është zbuluar se si është bërë e mundur futja e objekteve të tilla në një institucion që klasifikohet si ndër më të sigurtët në vend.
Kontrolli
Ndërkaq, persona të brendshëm bëjnë të ditur se kontrolli që ushtrohet në pakot që u vijnë të burgosurve apo edhe tek të afërmit që vijnë t’i takojnë është një kontroll i hollësishëm. Megjithatë, nuk është ndonjë çudi që familjarët t’i ndajnë në pjesë – pjesë këto lloj pajisjesh, t’i sjellin ato një nga një, dhe më pas të montohen pa asnjë problem. Por, gjithsesi, burimet preferojnë të mos japin asnjë informacion lidhur me këtë fakt. Nga ana e vetë autoriteteve të burgut është bërë e ditur se do të kryhen kontrolle për të zbuluar në rast se ka parregullsi të tjera në këtë institucion, ndërkohë që nga prokuroria pritet që të nisin hetimet, në rast se punonjësit e brendshëm të burgut janë të përfshirë në këtë futje aparatesh brenda. Në burgun e Burrelit ndodhen mbi 200 të burgosur, nga të cilët 40 vuajnë masën e dënimit me burgim të përjetshëm. Mes tyre përmenden emrat e Zani Çaushit, Jaho Mulosmanit etj. Pas problemeve që pati në këtë burg para disa muajsh, shumë prej të dënuarve të kësaj kategorie janë transferuar për në burgje të tjera të sigurisë së lartë, megjithatë ky burg klasifikohet si ndër më të sigurtët në vend.