E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, projekte të përbashkëta qeveri-bashki



Gjatë mandatit të dytë qeverisës, qeverisja demokratike ka në planet e saj edhe realizimin e projekteve të përbashkëta me Bashkinë e Durrësit. Dy vjet më parë është nënshkruar edhe një marrëveshje protokollare për 3 projekte të rëndësishme në qytetin e Durrësit. Qeveria dhe bashkia kanë rënë dakord për hartimin e projekteve dhe qeveria për t’i mbështetur ato me fonde. Është fjala për ndërtimin e dy rrugëve strategjike, si dhe për godinën e re të Universitetit të Durrësit në hyrje të portit të detar.

Duke ndjekur shqetësimet dhe nevojën e Bashkisë së Durrësit për ndihmë në fonde për të mëkëmbur infrastrukturën rrugore, qeveria dhe vetë Kryeministri Berisha janë shprehur për bashkëpunimin mes tyre. Ky bashkëpunim u konsiderua logjik, i nevojshëm dhe i domosdoshëm, pasi infrastruktura rrugore dëmtohet edhe për shkak të makinave të qyteteve të tjera të vendit, të cilat mësyjnë për shkak të portit, doganës dhe plazhit në Durrës. Sipas marrëveshjes, Bashkia e Durrësit duhej të hartonte projektet për rikonstruksionin e rrugës së tregut industrial si dhe projektin për rrugën e re përgjatë rrethimit të portit detar deri te stacioni hekurudhor dhe ato do t’i dorëzonte në qeveri brenda shtatorit 2009. Nga ana e saj, qeveria do të mbështesë me fonde zbatimin e tri projekteve. Gjithashtu, qeveria e bashkia do të shtrijnë bashkëpunimin e tyre edhe në ndërtimin e një godine shtesë në funksion të rritjes dhe fuqizimit të Universitetit të Durrësit, i cili kërkon të shtojë degët e tij. Nga ana e saj, bashkia do të japë lejen e ndërtimit, ndërsa qeveria fondet. Në Bashkinë e Durrësit, shprehen se “projektet janë shumë të rëndësishme për qytetin dhe zonat e tij bregdetare”. Rrugët e parashikuara të ndërtohen konsiderohen shumë të rëndësishme, si rruga përgjatë portit, që në njëfarë mënyre mund të konsiderohet si çlirim i trafikut rrugor. Ndërsa godina e universitetit do t’i japë më tepër reputacion Universitetit të Durrësit. Për realizimin e këtyre projekteve ka ardhur edhe sinjali i parë nga qeveria. Në bashki e dinë se ky vit për sa u përket fondeve konsiderohet i mrekullueshëm, duke shpresuar në nisjen pa vonesa të zbatimit të tri projekteve madhore për Durrësin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›