Dekreti, përcaktohet numri i gjykatave dhe gjyqtarëve në vend
Presidenti i Republikës dhe në të njëjtën kohë edhe kreu i KLD-së dekretoi mesditën e djeshme numrin e gjyqtarëve që do të kenë gjykatat e Shkallëve të Para dhe të Apelit në vend, si dhe sa do të jetë numri i këtyre gjyqtarëve deri në vitin 2012 në gjykatën më të madhe në vend, atë të Tiranës. Ky përcaktim i numrit të gjyqtarëve në gjithë gjykatat e vendit u bë pas propozimit të ministrit të Drejtësisë, në kuadër të nenit nr. 8 të ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Në shkallë vendi do të ketë 23 gjykata të Shkallës së Parë dhe 7 gjykata Apeli, në të cilat do ushtrojnë funksionin e gjyqtarit 370 gjyqtarë, nga të cilët 295 do të jenë gjyqtarë të gjykatave të Shkallës së Parë dhe 75 do të jenë gjyqtarë të gjykatave të Apelit. Në dekretin e tij, kreu i shtetit përcakton se do të ketë një shtim të numrit të gjyqtarëve në gjykatën më të madhe në vend, atë të Tiranës, në të cilën deri në vitin 2012 numri i gjyqtarëve do të shkojë në 70 nga 64 që janë përcaktuar për këtë vit deri më 1 shtator të vitit 2011, vit në të cilin shtohen 3 gjyqtarë dhe 3 të tjerë më 1 shtator të një viti më pas. Ky dekret shfuqizon dekretet e mëparshme me nr. 706, datë 07.12.1993 “Për caktimin e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve dhe të ndihmësgjyqtarëve” dhe dekreti nr. 1111, datë 30.05.1995 “Për një shtesë në numrin e gjyqtarëve dhe të ndihmësgjyqtarëve të gjykatave të rretheve”. Dekreti i Presidentit, Bamir Topi, vjen pas mbledhjes së fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në të cilin me vendim unanim u ra dakord që të ketë një reduktim të gjyqtarëve në gjykatat më të vogla dhe të shtohet numri i gjyqtarëve në dy gjykatat më të mëdha në vend. Konkretisht, në korrik të këtij viti u vendos të pranohej propozimi i ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për shtimin e gjyqtarëve në dy gjykatat më të mëdha në vend, në atë të Tiranës dhe atë të Durrësit. Gjithashtu, u vendos që në gjykatat më të vogla në vend të ketë një reduktim të numrit të gjyqtarëve, për t’iu shtuar gjykatave që trajtojnë më tepër çështje.
Numri i gjyqtarëve për Gjykatat e Shkallës së Parë
1. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat, 11 gjyqtarë.
2. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër, 5 gjyqtarë.
3. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, 24 gjyqtarë.
4. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, 17 gjyqtarë.
5. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, 16 gjyqtarë.
6. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, 13 gjyqtarë.
7. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë, 7 gjyqtarë.
8. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, 21 gjyqtarë.
9. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, 7 gjyqtarë.
10. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës, 6 gjyqtarë.
11. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin, 6 gjyqtarë.
12. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, 9 gjyqtarë.
13. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, 10 gjyqtarë.
14. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat, 4 gjyqtarë.
15. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Përmet, 4 gjyqtarë.
16. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, 8 gjyqtarë.
17. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë, 4 gjyqtarë.
18. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë, 9 gjyqtarë.
19. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, 19 gjyqtarë.
20. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, 61 gjyqtarë.
21. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë, 4 gjyqtarë.
22. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, 18 gjyqtarë.
23. Në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, 16 gjyqtarë.
Numri i gjyqtarëve për Gjykatat e Apelit
1. Në Gjykatën e Apelit Durrës, 10 gjyqtarë.
2. Në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, 6 gjyqtarë.
3. Në Gjykatën e Apelit Korçë, 6 gjyqtarë.
4. Në Gjykatën e Apelit Shkodër, 7 gjyqtarë.
5. Në Gjykatën e Apelit Tiranë, 25 gjyqtarë.
6. Në Gjykatën e Apelit Vlorë, 10 gjyqtarë.
7. Në Gjykatën e Apelit për krime të rënda, 11 gjyqtarë.
Si do rritet numri i gjyqtarëve në Gjykatën e Tiranës në tri vite
64 gjyqtarë më 1 shtator 2010
67 gjyqtarë më 1 shtator 2011
70 gjyqtarë më 1 shtator 2012
Detaje
370 është në total numri i gjyqtarëve, që do kenë gjykatat e Shkallës së Parë dhe Apelit
295 gjyqtarë do të kenë 23 Gjykata të Shkallëve të Para në vend
75 gjyqtarë do të ketë në organikën e gjykatave të Apelit në gjithë vendin
6 gjyqtarë do t’i shtohen Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës deri në vitin 2012