Xhufi, Legisi, Klosi e Muçi joshen nga Rama
Pëllumb Xhufi, Fatos Klosi, Ndre Legisi dhe Mustafa Muçi e dinin shumë mirë se çfarë i priste në të ardhmen e afërt politike, kur vendosën të dilnin kundër kreut të LSI-së, Ilir Meta, dhe forumeve të kësaj partie për pjesëmarrjen në koalicionin qeveritar me PD-në. Dhe nuk ka vonuar ftesa e Partisë Socialiste ndaj tyre. Ka qenë vetë Edi Rama, i cili pasi i ka falënderuar ata në kongresin e PS-së, i ka ftuar dje në Pezë për të diskutuar mundësinë e bashkimit me PS-në. Me rastin e përvjetorit të Konferencës së Pezës, kreu aktual i PS-së është munduar të kthejë vëmendjen nga tentativat e tij për t’u afirmuar si lider i së majtës, duke hedhur ide për bashkimin e saj në një konfederatë. Bëhet fjalë për bashkimin e partive të vogla që mbetën jashtë Parlamentit në zgjedhjet e fundit, të cilat tashmë shohin si të vetmen rrugë mbijetese një bashkim me PS-në në një konfederatë të majtë. Ai ka konsumuar një kafe me 4 rebelët e LSI-së dje në Pezë, ndërkohë që nuk dihet pse ka munguar i pesti, Sabit Brokaj, i cili prej kohësh ishte tërhequr nga politika aktive, duke u marrë me profesionin e tij si mjek. Ndërkaq, i vetmi që ka pranuar ftesën dhe madje ka lënë të kuptohet se shumë shpejt këta emra të LSI-së mund të jenë pranë PS-së, ka qenë Pëllumb Xhufi, deri më tani nënkryetar i LSI-së. “Pa dyshim që kjo është një ftesë e kuptueshme dhe gjithsecili do veprojë sipas këndvështrimit që ai ka. Për sa më përket mua personalisht, unë do të merrem kryesisht me aktivitetin tim shkencor akademik, por kjo nuk do të thotë se unë nuk do të jem aktiv në kuptimin e mbrojtjes të pozicioneve të së majtës”, - tha Xhufi pas kafesë së konsumuar me Ramën në Pezë. Ai shtoi se vendimet do të jenë personale duke thënë se “gjithsecili ka të drejtën e tij dhe më duket se është dhe në vijën e drejtë për të gjithë ata që e konsiderojnë veten të majtë”. Ndërkaq, Xhufi nuk ka hezituar të japë notën maksimale për Metën si ministër i Jashtëm, dhe pse nuk ka përkrahur futjen e tij në qeveri me Berishën. Ndërsa çështja e konfederatës është një ide e vjetër e hedhur fillimisht nga Skënder Gjinushi i PSD-së dhe pritet të bëhet realitet, të paktën sipas diskutimeve që janë bërë kohët e fundit mes protagonistëve të së majtës. Po dje në Pezë Rama ka biseduar me Gjinushin, Paskal Milon e PDS-së dhe disa eksponentë të partisë së tij, si Gramoz Ruçi e Pandeli Majko.