Durrës, ritme të ngadalta në numërim Dako në avantazh të lehtë ndaj Xhaferraj
Mbyllet procesi i numërimit në Sukth, ku fiton Aleanca për qytetarin, ndërsa në Fushë Krujë fiton PS.
DURRËS Procesi i numërimit të votave për Bashkinë e Durrësit po kryhet me ritme të ngadalta, megjithëse nisi me mjaft vonesë. 10 grupet e para të numërimit në KZAZ nr. 8, e cila përfshin bashkinë më të madhe të qarkut, kanë nisur punën për numërimin e votave vetëm në orën 12:10 të ditës së djeshme. Vonesa të pajustifikuara dhe shpesh të qëllimshme janë shkaktuar nga ora 01:00 e datës 9 maj, kohë kur përfundoi marrja në dorëzim e materialeve, për 165 qendrat e votimit të kësaj bashkie. Fillimisht është thënë se do të bëhet trajnimi i numëruesve, por KZAZ nr. 8 nuk ka pasur në këtë kohë diplomat dhe kopjet e noterizuara për numëruesit e subjekteve politike. Më pas, kur pritej që rreth orës 04:00 të niste trajnimi i tyre, asnjë prej numëruesve nuk është shfaqur në ambientet e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”. E njëjta situatë ka qenë edhe në mëngjes, por dega e Partisë Demokratike në Durrës akuzoi PS-në sepse qëllimisht po vononte dërgimin e listës me emrat e numëruesve. Situata ka pasur më vonë, rreth orës 11:00, një debat që nisi nga kandidati i koalicionit “Aleanca për të ardhmen” Vangjush Dako, i cili kërkoi nga KZAZ që të dilnin jashtë të gjithë personat që nuk ishin të autorizuar për të qëndruar në ambientet e brendshme të Pallatit të Sportit. Në kushte të tilla kanë dalë jashtë shumë nga pjesëtarët e stafit të Partisë Demokratike dhe kanë hyrë më vonë, me shkresat e lëshuara me vulën e KZAZ-së. Kutia e parë që i përkiste njërës prej 13 qendrave të votimit në Plazh është hapur vetëm në orën 12:10.
Plazhi, thyhet bastioni i PD-së
Kandidati Vangjush Dako ka rezultuar më i votuar sesa rivali i tij Ferdinand Xhaferraj në zonën e Plazhit. Në 14 kutitë e para, që janë pjesë e lagjes 13 në Plazh, Vangjush Dako ka marrë 3388 vota, kurse Ferdinand Xhaferraj 3177. Diferenca prej 211 votash ka qene me e madhja e krijuar qe nga mesdita deri në orën 21.00, kur u përfundua kutia e katërmbëdhjetë. Stafi i kandidatit Dako ka qenë entuziast për shkak se këto janë zgjedhjet e para lokale ku PS e kalon PD-në në këtë zonë. Në zgjedhjet e vitit 2007, kandidati i djathtë Armand Teliti krijoi në këtë zonë avantazhin më të madh të përkohshëm ndaj Vangjush Dakos, të cilin e humbi më pas kur u hapën kutitë e lagjeve të tjera të qytetit. Edhe KZAZ-të e tjera të Durrësit kanë punuar pothuajse me të njëjtat ritme. Në mbrëmje vonë është njoftuar se në KZAZ nr. 10 kishin mbetur vetëm 4 kuti pa numëruar, ku për komunën e Rrashbullit kandidati Hysen Gashi, me siglën e LSI-së, ka qenë më shumë se 1000 vota para kandidatit të PS-së, Shkëlqim Troplini. Në KZAZ nr. 9 ka qenë në përfundim numërimi i votave për Bashkinë e Sukthit, ku kandidati i PDIU Sherif Fortuzi krijoi në kutitë e fundit një diferencë prej më shumë se 1300 vota kundrejt kandidatit socialist, Selami Xhelili. Në KZAZ nr. 11 për Krujës, në numërimin e votave për 12 kutitë e para të Bashkisë Fushë Krujë, kandidati socialist Gjon Bardhi ka qenë 1085 vota para ndaj kandidatit të djathtë, Bilal Stafuka, i cili kandidon në emër të koalicionit “Aleanca për qytetarin”.
Aleks Kalemasi
QARKU DURRËS
Bashkia Durrës
PD Ferdinand Xhaferri 2839
PS Vangjush Dako 3087
13 nga 165
Bashkia Shijak
PD Afrim Brahimi
PS Indrit Buka
Bashkia Sukth
PD SHERIF Fortuzi 3313 vota
PS Selami Xhelili 1754
16 nga 16
Bashkia Manëz
PD- PR Bujar Huqi
PS Sokol Sula
Bashkia Fushë-Krujë
PD Bilal Stafuka 2564
PS Gjon Bardhi 3456
13 nga 20
Bashkia Krujë
PD Shkëlzen Hoxha
PS Ismail Dani