E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surpriza në Himarë, bie Bollano, PS-ja merr bashkinë

Surpriza e parë e procesit të zgjedhjeve është fitorja e socialistëve në Himarë, ku kandidati Gjergji Goro fitoi betejën ndaj Vasil Bollanos, me 220 vota më shumë se kandidati i PBDNJ-së. Himara, e para në numërimin e bashkive dhe komunave të vendosura në KZAZ nr.62, më shumë se ka çuditur ka lënë të kënaqur strukturat e PS-së, në përmbysjen e rezultatit për këtë bashki. Gjergji Goro me 1574 vota, kundrejt 1472, ka thyer mitin ndaj Bollanos, një emër i shumë diskutuar së fundmi, që rikandidonte për këtë bashki për një mandat të tretë. Procesi është cilësuar normal dhe i qetë nga kreu i kësaj KZAZ, Dilaver Çeloaliaj, ndërkohë që vetë Goro ka preferuar të thotë vetëm me pak fjalë se gjithë këtë ndryshim ia faturonte vullnetit të komunitetit të kësaj zone. Ndërkohë që edhe Bollano ka qenë i pranishëm në KZAZ, shoqëruar nga Dule, ndërsa nuk kanë dhënë komente mbi rezultatin e Himarës. Procesi i numërimit të votave në Bashkinë e Himarës ka përfunduar paraditen e djeshme, dhe fitues ka rezultuar kandidati i PS-së, Gjergji Goro, i cili ka arritur të marrë 1574 vota, pasur nga kandidati i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vasil Bollano, me 1472; ndërsa kandidati i Partisë Demokratike ka marrë 560 vota. Pas nxjerrjes së rezultatit përfundimtar, mbështetësit e Gjergji Goros (i njohur ndryshe edhe me emrin Jorgo), të mbledhur përpara zyrës së kësaj force politike në Himarë kanë nisur të festojnë, duke kërcyer me këngë labe në sfond, ku nuk ka munguar të shfaqet edhe një flamur grek nga një i moshuar. Kryetari i ri i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro, pasi ka mbaruar procesi i numërimit dhe është shpallur fitues ka deklaruar se qytetarët votuan për të pasur si drejtuesin e tyre lokal të ri një administrator dhe jo një politikan. Në një prononcim për mediat, Goro deklaroi se fitorja erdhi falë programit të Aleancës për të Ardhmen, por edhe për shkak të gabimeve që bëri paraardhësi Vasil Bollano. “Pjesëmarrja në këto votime ka qenë më e madhja që pas vitit 2000. Jam i gëzuar për fitoren. Ftoj kolegët e mi që të bashkëpunojmë dhe jam i bindur se fitorja kësaj radhe është e të gjithëve”, - tha Goro. Ndërkohë që gara për Bashkinë e Vlorës vazhdon të jetë e hapur, ndonëse deri në mbrëmjen e shkuar favorit ishte kandidati i PS-së, Shpëtim Gjika, me 9041, kundrejt 7450 votave të kandidatit të PS-së, Ardian Kollozi. Ky është rezultati i 31 kutive të numëruara, nga 86 që janë në total, ndërsa procesi i numërimit jo vetëm që ka ecur me ritme të ngadalta, por ai është bllokuar edhe herë pas here për shkak të disa incidenteve të regjistruara paraditen e djeshme. Shkak për incidentin e parë ka qenë një përplasje mes vëzhguesve të PDIU-së dhe një komisioneri për një pretendimin të Partisë Çame për manipulim me dashje të një flete votimi. Më pas ka ndodhur një tjetër incident në numërim, çka ka bërë që të bllokohet procesi në KZAZ 61. Në këtë KZAZ 61 vëzhguesit e PBDNJ-së kanë reaguar për kalimin e shpejtë të fletëve të votimit, gjë që sipas tyre ua ka bërë të pamundur vëzhgimin e votave. Kjo ka shkaktuar debat mes përfaqësuesve të PD-së në komisionin e numërimit dhe vëzhguesve të PBDNJ-së, ku është dashur ndërhyrja e forcave të policisë për të shmangur konfliktin e tyre fizik. Më vonë është pezulluar numërimi edhe në KZAZ 63, pasi komisionerët e PS-së në përfundim të numërimit të kutisë së 13-të, nga 15 gjithsej, kanë ndërhyrë me pretendimin se në kuti ndodheshin 5 fletë më shumë sesa numri i votuesve. Por me gjithë këto probleme, që në 6 kutitë e para të numëruara në Vlorë është parë avantazhi i Gjikës, dhe fitimi edhe në një zonë të njohur si të djathtë, pranë Shkollës së Muzikës, duket se ka ulur entuziazmin e demokratëve në pallatin e sportit “Flamurtari”, ku bëhet edhe numërimi i votave.

PS merr Sarandën, PD Delvinën

Përfundon procesi për numërimin e fletëve të votimit për Bashkinë e Sarandës. Në 29 qendra votimi tashmë të numëruara, fitues është shpallur kandidati i mbështetur nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj, Stefan Çipa. Ky i fundit, në totalin prej 12210 fletëve të rregullta të votimit, ka marrë 7236 vota, përballë 4981 votave të kandidatit të Partisë Demokratike, Edmond Gjoka. Fitorja e zotit Çipa është konfirmuar edhe prej kryetarit të KZAZ të këtij qyteti, Eleron Gjoni, si dhe nga KQZ. Menjëherë mbas fitores së tij, Çipa deklaroi se më 8 Maj u votua alternativa më e mirë. Përveç Bashkisë së Sarandës, procesi i numërimit të votave është mbyllur edhe në Bashkinë e Delevinës, ku përfaqësuesi i “Aleancës për qytetarin”, Dhurim Alinani, rikonfirmohet sërish kryetar bashkie. Sipas kryetarit të KZAZ nr.64, Qazim Bobaj, kandidati i së djathtës, Dhurim Alinani, ka marrë 2214 vota, ndërsa Dashamir Hado i “Aleancës për të ardhmen”, 2114 vota.

Gjirokastër, Bime merr mandatin e tretë

Bashkinë e Gjirokastrës do ta drejtojë përsëri kryetari aktual i saj dhe njëkohësisht kandidati i “Aleancës për të Ardhmen”, Flamur Bime. Në fund të procesit të numërimit të votave për Bashkinë e Gjirokastër, Flamur Bime ka fituar mandatin e tretë, ndërsa është shpallur fitues me 6635, vota kundrejt kandidatit të “Aleancës për qytetarin”, Genci Sinoimeri, i cili ka marrë 5150 vota. Por, megjithëse është mësuar emri i kreut të ri të Bashkisë së Gjirokastrës, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar në Gjirokastër denoncon mungesën e siglës politike të kësaj force në listën e subjekteve politike të procesverbaleve që janë mbajtur prej grupeve të numërimit në KZAZ 25. Kandidati i kësaj force politike për Bashkinë e Gjirokastrës, Mariglen Koçiu, pretendon se votat e këtij subjekti nuk janë lexuar normalisht dhe se ka shkelje serioze ligjore në mënyrën sesi është vepruar deri në këto momente me numërimin. Ndërkaq, KZAZ në fjalë pretendon se gabimi ka qenë i KQZ-së, prej nga kanë ardhur fletët e procesverbaleve. Ky gabim teknik në dokumentacion u përcaktua prej KZAZ, si problemi më serioz teknik, rast për të cilin është kërkuar që zgjidhja të vijë nga KQZ-ja. Dje ka përfunduar procesi i numërimit të votave edhe në Bashkinë e Përmetit, ku fitues është shpallur kandidati i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Gilbert Jaçe, i cili ka fituar 2150 vota, kundrejt 1811 vota të kandidatit Kujtim Hoxha, i “Aleancës për qytetarin”, i propozuar nga LSI-ja.

Po ashtu edhe në Tepelenë ky proces ka përfunduar dhe është shpallur fitues kandidati i PS-së, Tërmet Teci, me 1741 vota, kundrejt kandidatit të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Reshat Zika, që ka marrë 1217 vota, ndërsa kandidati i “Aleancës për qytetarin”, Sevo Mici, kryetari në detyrë i bashkisë, ka marrë 750 vota. Kurse për Bashkinë e Memaliajt është shpallur fitues kandidati i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Lulëzim Meçe, i cili ka marrë 1199 vota kundrejt 974 vota që ka marrë kandidatja e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Hatixhe Qendro.

Qarku Gjirokastër

Bashkia Gjirokastër

PS Flamur Bime 6635 vota

PD Genci Sinoymeri 5150 vota

Bashkia Përmet

PS Gilbert Jaçe 2150 vota

PD Kujtim Hoxha 1 811 vota

Bashkia Tepelenë

PS Tërmet Peçi 1741 vota

Reshat Zika LZHK 1217 vota

Bashkia Memaliaj

PS Lulëzim Meçe 1199 vota

PD Hatixhe Qendro 974 vota

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›