PD dhe PS, lojë “nervash” e bllokime në bastionet e Tiranës
Tiranë Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë mbajtur “peng” njëra-tjetrën në dy bastionet e tyre, duke zvarritur rezultatet për garën më të rëndësishme të 8 majit, atë mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Procesi i numërimit të votave në KZAZ-të 49, e cila përfshin njësinë bashkiake numër 5 dhe 52, që mbulon njësinë me numër 8 u bllokua gjatë gjithë ditës së djeshme, duke rikthyer problemet e hasura në vitin 2009. Nga vëzhgimet e MAPO-s në këto dy KZAZ, rezulton se kanë qenë komisionerët demokratë ata që bllokuan numërimin në shkollën “Vasil Shanto” në Tiranë, zonë e njohur si bastion i Partisë Socialiste. E kundërta ka ndodhur në njësinë 8, që numërohej tek “Shkolla e Kuqe”, e që tradicionalisht njihet si “magazinë” votash e Partisë Demokratike. Jashtë kësaj “loje nervash” nuk kanë mbetur edhe qendrat e tjera të numërimit në Tiranë, duke sjellë si pasojë një proces me ritme tepër të ngadalta në Tiranë. Nga 11 vendet e numërimit të votave për 11 njësi të kryeqytetit, në shumë prej tyre procesi ka vijuar normalisht, edhe pse komisionerët Zonalë të Administrimit të Zgjedhjeve kanë shfaqur shenja lodhje, duke kërkuar edhe pushime të vazhdueshme që kanë zgjatur për disa orë. Sipas të dhënave paraprake, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme rezulton se në kryeqytet janë numëruar vetëm 15 % e kutive të votimit, çka nuk mund të sjellë ende një trend të sigurt mbi rezultatet paraprake për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, në mesnatë ishin numëruar 126 kuti votimi, nga ku kryesonte Edi Rama me rreth 1200 vota. Në disa prej qendrave të numërimit, ku janë hapur vetëm kutitë e para, ndihet një epërsi e lehtë e kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, i cili kryeson në njësitë nr. 6, 8, 11, dhe 4. Në njësinë bashkiake nr. 1, 2 dhe 5 ndihet një epërsi e lehtë në votat e kryebashkiakut aktual, Edi Rama. Rezultati i publikuar mbrëmjen e djeshme nga KQZ, por edhe nga vetë forcat politike, është ende paraprak dhe lehtësisht i ndryshueshëm, pasi rreth 80 për qind e kutive të votimit janë ende pa u numëruar. Nga një vëzhgim në terren rezulton se përveç qendrave të numërimit në njësinë nr. 8 dhe nr. 5, të gjitha qendrat e tjera kanë vijuar normalisht numërimin, megjithëse në ritme mjaft të ngadalta. Në vendnumërimin e votave për njësinë nr.6, që ndodhet në zonën e Kombinatit, procesi i numërimit ka vijuar normalisht përgjatë mbrëmjes së djeshme, ndërsa komisionerët e kësaj KZAZ-je thanë se ky proces do të vijojë edhe përgjatë orëve të para të mëngjesit. E njëjta gjë u konfirmua edhe në qendrën e numërimit të votave për njësinë nr.11 në Laprakë, ku pas përfundimit të kutive të para, numëruesit do të zëvendësoheshin nga kolegët e tyre të trajnuar, me qëllim që procesi të mos haste ndërprerje. E njëjta situatë është shfaqur mbrëmjen e djeshme edhe në njësinë nr.7 në kryeqytet, që përfshin zonën e “21 dhjetorit” dhe ish “Parkut të autobusëve”, ku numëruesit së bashku me anëtarët e KZAZ-së kanë qenë në detyrë përgjatë gjithë mbrëmjes. Sipas rezultateve paraprake, bëhet me dije se në të trija këto njësi, kryeson kandidati i Aleancës për Qytetarin, i cili ka disa qindra vota më tepër se rivali i tij socialist. Njësia nr. 1, që përfshin zonën e “Ali Demit”, sipas anëtarëve të KZAZ-së ka nisur numërimin rreth orës 21:00 të mbrëmjen e djeshme dhe do të vijojë normalisht përgjatë orëve të para të mëngjesit. Në këtë qendër numërimi, deri në orën 23:00 ishin numëruar 12 nga 38 kuti, ku kandidati socialist kryesonte me 340 vota më shumë se rivali i tij. Situatë e qetë me proces normal votimi ka vijuar edhe në qendrat e njësive nr. 2, 3 dhe 4, ku në dy prej të cilave kryesonte kandidati demokrat Lulzim Basha.