Durrës, sekuestrohen 621 kg drogë, arrestohet 33-vjeçari

Policia e Durrësit ka sekuestruar mbi gjysëm ton lëndë narkotike, e dyshuar si kanabis sativa. Droga është kapur në portin e Durrësit, e fshehur në një kamion. Sipas të dhënave nga policia, mësohet se në automjetin me targa shkodre 0205 E është bllokuar 621 kg lëndëe narkotike e dyshuar si kanabis sativa, si dhe është vënë në pranga poseduesi i saj, Alberi Gjoni 33 vjeç nga Kruja dhe banues në Tiranë.
Mësohet se droga ishte ndarë në disa pako të veçanta, ndërsa si destinacion kishte shtetin fqinj Italinë, e konkretisht portin e Barit. Policia, përveç drogës ka mundur të sekuestrojë edhe dy telefona celularë, 3500 euro dhe 3 milion lekë të vjetra. Ndërkaq nga ana e efektivave të Antidrogës si dhe grupit hetimor po hetohet lidhur me indentifikimin e personave të tjerë të cilët mendohet të jenë pjesë e këtij rrjeti, por edhe në zbardhjen e itinerarit të drogës, siç është vendi i origjinës, por dhe destinacioni përfundimtar i tij.
Kjo është sasia e dytë e madhe e bllokuar në fillim të këtij viti. Në ditët e para të janarit, në portin e Durrësit u zbulua një sasi me 10 kg herorine dhe 200 kg kanabis sativa, si dhe u vu në pranga drejtuesi i kamionit Tushemir Lleshi, 29 vjeç nga Fushë Kruja. Droga u gjet gjatë kontrollit të ushtruar në një kamion të llojit benz me targa të huaja (AAGL777) që do të nisej në Itali me tragetin e linjës Durrës-Bari të ankoruar në Portin e Durrësit.