Durrës, shkëndija elektrike shkrumbon banesën
Një banesë në katin e parë të një pallati është djegur thuajse plotësisht në orët e vona pikërisht pas mesnatës dhe më pas zjarri është përhapur thuajse në të gjithë katin e parë të këtij pallati. Banesa ndodhet pranë ish- fermentimit në Durrës. Zjarri ka rrezikuar të gjithë katin e parë të një pallati pesëkatësh. Flakët janë konstatuar së pari nga banorët e pallatit të cilët kanë lajmëruar menjëherë zjarrfikësen si dhe policinë. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie si dhe zjarrfikëse.
Për të shmangur ndonjë incident të mundshëm policia ka evakuuar katin e parë të pallatit, ndërsa ka vijuar punën për normalizimin e situatës. Për të neutralizuar flakët është dashur ndërhyrja e dy zjarrfikësve si dhe forcave të policisë së rendit. Hetimet e para të ngritura nga ekspertët, ishte ajo e shpërthimit të një bombule gazit por vetëm me përfundimin e hetimeve, nga ekspertiza është arritur në konkluzionin se shkak për rënien e këtij zjarri ka qenë një shkëndijë elektrike në kabllot të cilat kalonin në tavanin e kësaj banese dhe që ishin të amortizuara. Fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz, pasi pronarët e apartamentit jetonin jashtë vendit dhe ajo ishte e boshatisur. Burime policore kanë bërë të ditur se rreth orës 01.30 flakët janë shfaqur në katin e parë të këtij pallati 5 katësh duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.