Durrës, spektakël live me DJ
Një spektakël i vërtetë me DJ shqiptarë dhe italianë do të organizohet sot në mbrëmje, në orën 22.30 në sheshin “Taulantja” të Durrësit. Aktiviteti i organizuar në kuadër të “Një det, dy popuj, një miqësi”, do të ofrojë për publikun performancat e DJ të njohur: DJ Aldo, Dori DJ, DJ Olti nga “TopAlbania Radio” dhe Provenzano DJ, Molella dhe Danijay nga Italia. Danijay, i cili e ka shijuar këtë eksperiencë në Shqipëri, tregon në detaje idenë e realizimit të këtij aktiviteti.
Sot në mbrëmje do të ketë një performancë të veçantë me DJ shqiptarë dhe italianë për publikun durrsak. Si lindi ideja e këtij aktiviteti?
Ky aktivitet është pjesë e sezonit të madh të eventeve “Një det, dy popuj, një miqësi”. Kur isha disa kohë më parë në Tiranë për punë, m’u besua organizimi i këtij aktiviteti, për të cilin fillimisht realizuam një konkurs që zgjati rreth një muaj e gjysmë për të bërë përzgjedhjen e DJ-ve në Tiranë dhe Vlorë që do të interpretonin në mbrëmjen finale. Ajo që do të ndodhë sot është një spektakël i vërtetë. Përveç një “gare” mes DJ-ve: DJ Aldo, Dori DJ, DJ Olti nga “TopAlbania Radio” dhe Provenzano DJ, Molella dhe unë (Danijay) nga Italia, do të kemi edhe të ftuar. Përveç pranisë së ambasadorit dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal, do të kurorëzohet “Miss Albania”, do të jetë i ftuar një futbollist i Kombëtares dhe këngëtarja Rosela Gjylbeku do të këndojë këngën e njohur shqiptare “Lule bore”, të cilën e kam miksuar në versionin dance. Aktiviteti do të transmetohet në kohë reale në kanalin HD3 në “DigitAlb” dhe në radion M2O në Itali.
çfarë është zgjedhur për t’u interpretuar?
Ky është një shou i ri në llojin e tij dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë, për më tepër që do të mbahet në shesh të hapur.
Mbetemi gjithnjë në muzikën dance, kryesisht ajo për t’u kërcyer, por secili ka karakteristikën e vet. Unë luaj muzikën më komerciale, DJ Aldo po ashtu, pastaj tonalitetet ndryshojnë. Ne do të mbulojmë të gjithë botën e muzikës dance.
Sot nuk ka një shkollë për DJ. Si mund të bëhesh i tillë?
DJ nuk është zanat, është pasion i pastër. Në rastin tim nuk ishte një vendim që unë mora për t’u bërë DJ. Kur kam marrë për herë të parë në dorë një disk isha 14-15 vjeç dhe më magjepsi ndjenja e të prekurit të muzikës me dorë dhe më pasionoi mundësia për ta modifikuar. Fillohet nga gjërat e vogla: festat, ditëlindjet e miqve, interpretimet në një lokal të vogël, pastaj në një më të madh, në diskotekat dhe disqet. Ishin ata që më dhanë mua njohje europiane dhe rreth 99% të mbrëmjeve të mia realizohen jashtë Italisë. Ajo që e mban gjallë këtë aktivitet është pasioni.
Që një DJ të jetë i suksesshëm, duhet gjithnjë të ndjekë tendencat?
Janë dy rrugë: ose do të zgjedhësh instinktin tënd, ose tendencat që të ofron tregu. Unë kam mbajtur stilin tim dhe nuk kam ndjekur tregun kur nuk ka qenë në llojin tim muzikor. Një DJ mund t’i përshtatet tregut, por nuk mund të jetë i aftë për të gjitha rrymat muzikore dhe në këtë pikë rrezikon të humbasësh besimin. Unë bëj muzikën që më pëlqen edhe mua.
Por të bësh DJ është edhe biznes...
Ka DJ që fitojnë shumë, por kjo ndodh kur janë në krye të listës. Unë fitoj aq sa më mjafton për veten. është e vështirë që dikush të bëjë DJ si profesion i vetëm. Unë nuk e bëj. Një DJ duhet të punojë me ritme të shpejta, sepse tregu do muzikë të re. Në kohën e disqeve të mi të para kujtoj se mund të bëje një disk dhe për 6 muaj të punoje me të, tani një disk duron vetëm një transmetim radiofonik. Muzika sot është përdor e hidh.
#