E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, lobing për vendimin e Hagës

Strategjia e Prishtinës, para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Duke pasur parasysh se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) së Hagës lidhur me vlefshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës që pritet të merret, ka shumë mundësi, këtë verë, nuk do të jetë qartësisht në favor të Kosovës ose të Serbisë, që e pranojnë edhe shumë analistë politikë dhe njohës të mirë të rrethanave ballkanike, qeveria e Kosovës, me synimin për ta përballuar këtë situatë, ka përgatitur një strategji veprimi për kohën mbas shpalljes së mendimit të lartpërmendur. Në një prononcim në stacionin e njohur radioteleviziv gjerman “Dojçe Vele” (seksioni serbisht), zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Albana Beqiri, e konfirmoi ekzistencën e kësaj strategjie veprimi të qeverisë së Kosovës, megjithëse nuk hyri në hollësira. “është ende shpejt të flasim për hollësira. Ajo që mund të themi për momentin, është se Kosova është e përgatitur për periudhën mbas shpalljes së mendimit konsultativ të GJND-së”, tha zëdhënësja e MPJ-së kosovare, duke vënë në dukje se Presidenti, Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës kanë zhvilluar kohët e fundit një aktivitet intensiv diplomatik në botën e jashtme. “Të gjitha aktivitetet kanë pasur si qëllim koordinimin me partnerët kryesorë të veprimeve që Kosova do të ndërmarrë menjëherë pas shpalljes së mendimit nga ana e GJND-së”, theksoi znj. Beqiri. Sidoqoftë, analistë politikë shqiptarë shprehin një farë skepticizmi lidhur me strategjinë e ardhshme të qeverisë së Kosovës, duke theksuar se qeveria e Kosovës ka pasur mundësi të bënte shumë më tepër sa u përket përpjekjeve për njohjen e saj (Kosovës) nga më shumë shtete të botës. Analisti Shkëlzen Maliqi i dha “Dojçe Veles”: “Shumë gjëra te kjo qeveri ecin për inerci, kështu që duket sikur ajo pret që edhe vetë procesi, që është zgjatur disi, të na çojë për inerci drejt anëtarësimit në OKB, njohjes së plotë të Kosovës nga ana e shumicës së vendeve dhe përfshirjes së Kosovës në institucionet e tjera të rëndësishme ndërkombëtare. Kështu që ajo që duhet të bëjë pala kosovare tani, është të vazhdojë të përgatisë ligjet dhe të gjithë ata amendamente që do të bëjnë të mundur që Kosova të kandidojë për anëtarësim në BE”, theksoi Maliqi. Nga ana tjetër, Ilir Deda, drejtori i Institutit për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, KIPRED, thekson se strategjia e Kosovës duhet të koordinohet me vendet që e kanë njohur tashmë pavarësinë e Kosovës, para së gjithash, me ata vende që bëjnë pjesë në Grupin Ndërkombëtar të Drejtimit për Kosovën. “Kosova duhet të mobilizojë të gjithë resurset e veta që ka brenda dhe jashtë vendit, që do të thotë se edhe miqtë e Kosovës në vendet e huaja, ish-diplomatë, duhet të jenë pjesë e nismave diplomatike kosovare mbas shpalljes së mendimit nga ana e GJND-së që Kosova të japë një përgjigje të qartë se për çfarë ajo do të flasë ose për çfarë nuk do të flasë me Serbinë”, tha Deda.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›