E Diel, 1 Nëntor 2026

Biblioteka Kombëtare, institucion shtetëror i kthyer në pronën e Aurel Plasarit

Orët e mundimshme në bibliotekë, sfilitin lexuesit e shumtë

Biblioteka Kombëtare, mes një rrëmuje që prej vitesh nuk ka gjetur zgjidhje, e cila vazhdon akoma. Janë orët e mundimshme në bibliotekë, që sfilitin lexuesit e shumtë në pritje të marrjes së librit. U bënë shumë kohë që flitet se në këtë institucion duhet

të ndryshojnë shumë gjëra, që të jenë në favor të lexuesve, por vetëm disa projekte që nuk kanë sjellë shumë për lexuesin dhe asgjë tjetër nuk është bërë. Nëse shkon në mjediset e kësaj biblioteke shikon shumë persona, të cilët kanë ardhur me shpresën për të gjetur librin që u duhet. Është sezon provimesh, dhe kjo e rrit dhe më shumë kërkesën për libra pranë këtij institucioni, por ka dhe të tjerë që u duhet për studime, por që nuk arrijnë dot ta marrin në kohë atë që ata kërkojnë. Dhe këtë e vërteton nëse pyet vetë lexuesit, të cilët tregojnë se janë të lodhur nga kërkimet e kota për të gjetur librin apo materialin që u duhet. Vuajtjet dhe mundimet për të gjetur librin fillojnë sapo hyn brenda këtij institucioni, që mban emrin Biblioteka Kombëtare dhe përballesh me sportelin e informacionit. Edhe pse ky institucion është një prej institucioneve më të rëndësishme në vend, mjafton një vizitë në mjediset e bibliotekës dhe aty mund të vërtetosh që ka shumë probleme, në shërbimin që të ofrojnë punonjësit, në kushtet që të ofrohen etj, aq sa në shumë raste për të gjetur një libër lexuesit janë të detyruar që të kryejnë punën që duhet ta bëjnë punonjësit e këtij institucioni. Në këto ditë të nxehta qershori, studentë apo dhe lexues të tjerë që duan librin për provime, studime etj, nuk arrijnë ta gjejnë atë nëse nuk kalojnë një kalvar mundimesh. Ky institucion sot është kthyer në një pazar, ku zor se mund ta meritojë më emrin që mban. Mes kësaj situate aspak të këndshme të duhet të bësh punën e një hulumtuesi dhe kërkuesi, duke kërkuar nëpër qindra skedarë vetëm për një titull libri që ti kërkon. Pas një punë prej më shumë se gjysmë ore, më në fund gjen skedarin e shumëkërkuar, shkon drejt sportelit dhe thua se më fund do ta marrësh këtë libër, por gabohesh! Pas ti lë skedarin në banak dhe me mirësjellje i kërkon librin, shpreson se duhet të presësh për pak minuta, e në fakt këto pak minuta kthehen në një pritje të gjatë dhe vapa që mbizotëron e bën dhe më të vështirë pritjen. Nga ana tjetër një zhurmë, e cila bezdis ata që lexojnë, nuk është pak për ata që shpresojnë të kenë qetësi. Biblioteka Kombëtare veç problemeve që tashmë dihen, pritjes për të marrë libra dhe zhurmës që të ofron në mjediset e saj, tashmë vijon me rregulla të tjera, të cilat zor se mund të përcaktohen si të tilla. Është e pakonceptueshme rregulli i ri i nxjerrë nga drejtuesi i bibliotekës z. Aurel Plasari, që konsiston në moslejimin e fotokopjimit të më shumë se 10 faqeve material në ditë. Tashmë një studiuesi, studenti apo një qytetari të thjeshtë do ti duhet, që një material, p.sh. një gazetë ta fotokopjojë për disa ditë me radhë, pasi këto janë rregullat mbi të cilat funksionon sot Biblioteka Kombëtare. Këto rregulla të çuditshme, që vetëm në këtë institucion dalin, bëjnë që lexuesit të habiten para këtij fakti, i cili nuk i lejon ata që të marrin shërbimin që duan në këtë institucion, kur dihet se janë taksapaguesit shqiptarë ata që e mbajnë. Ndërkohë që Bibliotekat Kombëtare të vendeve të tjera të ofrojnë një imazh krejt ndryshe, për sa i përket fondeve të librave si dhe shërbimin ndaj lexuesit. U bënë disa kohë që nga ky institucion pohohet për pasurim fondesh me libra, një shërbim të qytetëruar ndaj lexuesit, për përmirësim kushtesh, kur mjafton vetëm një vëzhgim në këtë institucion dhe arrin që të vërtetosh që asgjë nuk ka ndryshuar. E vetmja gjë që i ka mbetur lexuesve është që të shpresojnë, që kalvari i mërzitshëm i marrjes së një libri të marrë fund.


Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›