Berisha ngre sot në selinë e NATO-s flamurin e Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, si kontributori më i madh në procesin që e çoi vendin në anëtarësimin në aleancën e vendeve të lirisë ngre sot zyrtarisht flamurin e Shqipërisë në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel. Në ceremoninë zyrtare merr pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Japp de Hoop Sheffer
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha kryeson sot delegacionin shqiptar që merr pjesë në ceremoninë e organizuar në selinë e NATO-s, për ngritjen e flamurit kombëtar të Shqipërisë dhe Kroacisë, si dy anëtarët më të rinj të Aleancës, përkrah flamujve të 26 vendeve anëtare të Aleancës së Lirisë.
Në këtë ceremoni, të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Japp de Hoop Sheffer do të jenë të pranishëm 26 ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe delegacionet e Shqipërisë dhe Kroacisë, të kryesuar nga kryeministri Berisha dhe kryeministri kroat Sanader, në përbërjen e të cilëve do të jenë edhe ministrat e Punëve të Jashtëm respektivë dhe ambasadorët e të dy vendeve në NATO.
Banda ceremoniale e NATO-s do të luajë fillimisht himnet kombëtare të Shqipërisë dhe Kroacisë dhe himnin e NATO-s.
Këtë ceremoni do ta përshëndesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Japp de Hoop Sheffer dhe më pas, do të mbajnë fjalët e tyre të rastit kryeministri Berisha dhe kryeministri i Kroacisë Sanader. Gjatë kësaj vizite, kreu i qeverisë do të ketë takime dhe bisedime me personalitete të pranishme në këtë ceremoni. Gjatë samitit të Nato-s në Strasburg, kryeministri Sali Berisha tha për mediat se “anëtarësimi në NATO shënon për ne sigurinë e lirive tona, shënon arritjen më të madhe për liritë tona, të fëmijë tanë dhe të gjeneratave që vinë. “Ky anëtarësim shënon fundin e një udhëtimi shekullor; epik në qëndresë, legjendë në dhimbje, sakrifica dhe vuajtjesh më të mëdha se të çdo kombi tjetër. Ky anëtarësim shënon një fillim të ri, të ndritur, në të cilin shqiptarët do të kenë NATO-n mburojë të lirive të tyre, epokë në të cilën ata do të mund të ndërtojnë të lirë, të ardhmen e munguar dhe që meritojnë. Që nga kjo ditë, ne, fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë, do të kenë NATO-n aleancën më të fuqishme të të gjitha kohërave, si pazmore e të ardhmes tonë”, theksoi ai. Kreu i ekzekutivit deklaroi gjatë festimeve që u mbajtën në Tiranë, se, pas finalizimit të këtij projekti madhor, Shqipëria shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, për zgjedhje të lira dhe plotësisht të ndershme. Ai garantoi gjithashtu, se Shqipëria do të shkojë e sigurtë drejt projektit të dytë të madh historik, integrimit të plotë në Evropën e Bashkuar. “Ne do të shkojmë të sigurt drejt projektit të dytë të madh historik; integrimit të plotë të Shqipërisë në Evropë. Ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve të 28 qershorit për zgjedhje të lira të ndershme”, u shpreh kreu i qeverisë Berisha. Kryeministri ka shprehur garancinë e tij ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut se qeveria do ta shndërrojë besimin e dhënë në përkushtim serioz për zbatimin dhe implementimin e të gjitha vlerave dhe parimeve që NATO mbart. Kryeministri ka garantuar se qeveria që ai drejton do të vazhdojë me reforma të thella të gjithanshme për t’iu përgjigjur me besnikëri të gjitha kërkesave të aleancës.
Kreu i ekzekutivit shqiptar ka vlerësuar në vijim se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u bë i mundur falë solidaritetit të palëkundur nga SHBA dhe NATO. “Kjo u bë e mundur sepse në këtë periudhë ne njohëm, ne provuam solidaritetin bujarinë mbështetjen më të madhe të të gjitha kohërave. Asnjë komb nuk ka pasur mbështetjen që kemi pasur ne nga vendet e lira këto 17 vjet. Le ti shprehim atyre mirënjohjen tonë më të thellë, bujaria, ndihma e tyre u shndërrua në levën e Arkimendit për ne, për t’u mbledhur sot në këtë shesh si anëtarë të NATO”, theksoi Kryeministri gjatë festimeve në kryeqytet. Një mirënjohje të pakufishme, vijoi ai, le ti shprehim ne sot së bashku mikut tonë më të madh kombit të madh amerikan, qeverisë së SHBA, Presidentit, Senatit, Kongresit, mikut të shquar të kombit shqiptar Presidentit Xhorxh Bush. “Ai që themeloi në Tiranë kartën e Adriatikut 3 dhe që në 12 qershor të vitit 2007, do të jepte mesazhin historik ‘Shqipëria në NATO’. Sot është realitet, mirënjohje të thellë dhe të pakufishme dua t’u adresoj në emrin tuaj, Presidentit Barack Obama, i cili mbështeti me ndjenjat më miqësore anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, vlerësoi si të jashtëzakonshme reformat që ne bëmë për të anëtarësuar vendin”, tha Kryeministri.