E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH u përgjigjet akuzave për privatizimin e ish-Maternitetit, Berat

Në përgjigje të akuzave të ngritura në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me procesin e privatizimit të godinës së ish-Maternitetit të spitalit të Beratit, Ministria e Shëndetësisë dëshiron te informojë publikun se: Shërbimi i Maternitetit në spitalin rajonal të Beratit ka tre vjet, që nga viti 2006,  që është përfshirë në godinën e re te këtij spitali, të ndërtuar sipas Master-Planit të zhvillimit, me fonde të buxhetit të shtetit dhe Kooperacionit Italian. Ky shërbim aktualisht ofrohet konform të gjithë parametrave dhe standardeve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë. Që nga viti 2006 Godina e ish-maternitetit ka qene jashtë perdorimit. Procesi i privatizimit të godinave të tepërta është një proces i zakonshëm për të gjitha institucionet shtetërore, i cili kryhet në baze  të ligjeve dhe akteve ne fuqi. Ministria e Shëndetësisë vetëm në tre vitet e fundit ka miratuar fillimin e procedures së privatizimit të 25 objekteve të shtrira në të gjithë territorin. Konform gjithë procedurave Ministrisë së Shëndetësisë i ka ardhur kërkesa nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për prononcimin për privatizim të objektit në fjalë, në varësi administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, duke qene se pronari i ligjshëm i truallit, z. Jorgji Babasiko, kishte kërkuar pranë kësaj Ministrie privatizimin me të drejtën e parablerjes, në zbatim të Ligjit nr. 9235, date 29.07.2004 Për kthimin dhe kompensimin e pronës, të ndryshuar. Në vijim, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar zyrtarisht prononcimin e Spitalit Rajonal te Beratit për mundësinë e privatizimit të objektit ne fjalë. Drejtoria e Spitalit Rajonal thekson në përgjigjen e saj se godina është jashtë përdorimit dhe përbën barrë financiare për mirëmbajtje, duke u shprehur dakord për kalimin e objektit METE-s për procedurat e privatizimit. Ministria e Shëndetësisë në vijim i është drejtuar METE-s duke u shprehur dakord  për privatizimin e objektit, në mbështetje të VKM nr. 819, dt. 29.11. 2007 Për privatizimin e pasurive të ndërmarrjeve apo institucioneve shtetërore. Në përgjigje të kësaj shkrese, METE, duke u mbështetur në ligjet dhe aktet në fuqi, me kërkesë të pronarit të ligjshëm të truallit ka miratuar privatizimin e objektit, duke theksuar se dokumentacioni i vlerësimit të objektit dhe truallit të përgatitej në zbatim të VKM nr. 1638, date 17.12. 2008 Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe për procedurat e shitjes dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi. Ministria e Shëndetësisë thekson se i gjithë procesi është kryer konform akteve ligjore e nënligjore ne fuqi dhe që spekulimet ne media janë qartazi veprime qe kryhen për efekt elektoral.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›