Durres, ushtria shkaterron bunkerin 40-vjeçar
Mjetet e specializuara të ushtrisë kanë larguar e më pas shkatërruar një bunker 40-vjeçar prej betoni që ndodhej në majën e Kodrës së Currilave. Nga rrëshqitja e dherave, bunkeri, i vendosur atje prej 40 vitesh, ishte kthyer në një rrezik për lokalet dhe banesat që ndodheshin poshtë tij në këtë zonë të bregdetit. Sipas burimeve nga Shtabi i Emergjencave, “bunkeri apo vendstrehimi i madh ushtarak prej betoni pas rrëshqitjeve të dimrit të kaluar ishte ekspozuar gati për të rrëshqitur nga Kodra e Currilave me lartësi rreth 100 metra në zonën bregdetare ku ndodhen disa bar-restorante”. Mbi majën e kodrës disa vite më parë janë ndërtuar 74 godina banimi për të cilat dega rajonale e ALUIZNI-t ka vendosur të mos japë të drejtën e legalizimit për shkak të rrezikshmërisë së rrëshqitjeve. Ndërkohë, vazhdon pastrimi i shtratit të lumit Zezë. Sipas kreut të Prefekturës, z. Genci Alizoti, “mbi 80 për qind e Fushë-Krujës është pastruar nga balta e javës së shkuar, ndërsa nesër grupet e specialistëve të bashkisë dhe Këshillit të Qarkut do të evidentojnë dëmet që shkaktoi përmbytja në familjet dhe bizneset e qytetit”.