Durrës, vetëvaret në komisariat 27-vjeçari
DURRES - Var veten në qelinë e paraburgimit 27-vjeçari i akuzuar për vjedhje. Klodian Bushi shfrytëzoi pulovrën që mbante veshur për ta lidhur në kangjellat e qelisë së komisariatit të Durrësit ku ndodhej i izoluar prej disa orësh. Policia e Durrësit e kishte shoqëruar në orët e pasdites bashkë me të shoqen, me akuzën e vjedhjes në një banesë të qytetit 4 ditë më parë. Në momentet kur gruaja e Bushit po dëshmonte në zyrat e oficerëve të antikrimit, Klodian Bushi kreu vetëflijimin. Ai është gjetur në grahmat e fundit të jetës nga oficerët e policisë. Me shpejtësi ata e kanë çliruar nga laku i krijuar nga trikoja duke e transportuar për në urgjencën e spitalit të Durrësit. Por brenda pak minutash ai ka ndërruar jetë. Ngjarja ka alarmuar punonjësit e policisë, pasi ajo ndodhi krejt papritur. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Durrësit bëhet e ditur se ndaj Bushit ishte vendosur masa e ndalimit për akuzën e vjedhjes. Në momentin e futjes në qelitë e paraburgimit atij i ishin hequr të gjitha objektet dhe veshjet që mund të shfrytëzoheshin për veprime ekstreme, si: rripa, lidhëse, etj. Megjithatë, duket në kushtet e depresionit për të mos provuar për herë të tretë burgun, Klodian Bushi vendosi vetëflijimin në orët e mbrëmjes. Për të njëjtën akuzë, atë të vjedhjes u shoqërua dje dhe akuzohej dhe e shoqja e tij. Ajo, ndërsa i shoqi po planifikonte vetëflijimin, po jepte dëshminë për akuzën që ishte ngritur ndaj çiftit Bushi, ajo e vjedhjes në bashkëpunim. Sipas policisë, ngjarja për të cilën ata akuzohen ka ndodhur 4 ditë më parë, kur çifti i të rinjve u fut në një banesë në lagjen 11 të Durrësit. Aty, sipas familjarëve, kishin vjedhur një sasi objektesh me vlerë, mes tyre bizhuteri prej floriri. Kjo ngjarje ishte denoncuar në policinë e Durrësit, e cila njoftoi nga ana e saj të gjithë dyqanet e floririt në këtë qytet që të vinin në dijeni uniformat blu në çdo rast nëse bëhej fjalë për ndonjë rast të dyshimtë. Pikërisht ditën e djeshme, gruaja e viktimës kishte shkuar për të shitur florinjtë e vjedhur. Menjëherë janë identifikuar bizhuteritë, të njëjta me ato të grabitura në fillim të javës. Policia është sinjalizuar për këtë rast, çka ka çuar në zbardhjen e identitetit të çiftit Bushi dhe prangosjen e tyre rreth orës 16:00. Për policinë, emri i Kujtim Bushit ishte i njohur, pasi ndaj tij rëndonin dhe dy precedentë të mëparshëm, po për vjedhje. Duket se një tronditje e fortë psikike në momentet kur është përballur sërish me hekurat e qelisë, këtë herë duke rrezikuar dhe fatin e së shoqes, të ketë ndikuar në vendimin ekstrem të 27-vjeçari. o.u
SHKB-ja nis hetimin për ngjarjen
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në ambientet e policisë së Durrësit, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të saj. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm po punon për të nxjerrë një raport mbi vetëvrasjen e të shoqëruarit në paraburgim. Ndonëse të dhënat e para flasin për një vetëvrasje të pastër, konkluzionet pritet të dalin nga oficerët e SHKB-së, mbi rrethanat dhe shkaqet që e shtynë 27-vjeçarin deri në vetëflijim. Gjatë orëve të mbrëmjes, e shoqja e tij ndodhej ende në komisariatin e policisë. Sot do të vendoset se ç'do të ndodhë me fatin e saj, nëse do të izolohet për veprën penale të vjedhjes së kryer në bashkëpunim apo do të lihet e lirë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore. Ajo, ndonëse njihej si kontingjent, nuk ishte shoqëruar apo arrestuar më parë në komisariatin e policisë.