I kërkuari i FBI për drogë, kapet në Tiranë
Tirane - Policia e kryeqytetit arrestoi mbrëmjen e të mërkurës, Gazmir Gjokën, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik lëndësh narkotike dhe i kërkuar nga FBI. Policia tha se 56-vjeçari nga Tirana, banues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte person i shpallur në kërkim nga FBI, pasi ishte i përfshirë në një rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës. Rreth orës 20:00 të së mërkurës, Sektori Kundër Krimit të Organizuar të Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimit të Organizuar në Policisë së Shtetit, u realizua kapja e të shpallurit në kërkim ndërkombëtar, në afërsi të stadiumit "Qemal Stafa". Ndaj të kërkuarit, autoritetet e Nju Xhersit më datë 12 mars 2009 kanë vendosur masën e sigurisë në mungesë me "arrest në burg" për veprën penale të "trafikimit të lëndëve narkotike". Policia e Tiranës tha se i kërkuari do t'i dorëzohet për qëllim ekstradimi autoriteteve të Nju Xhersit në SHBA, për në drejtim të vendit të vuajtjes së dënimit. Agjentët e FBI-së që prej vitit 2003 po hetonin mbi veprimtarinë e organizatës ku ishte i përfshirë edhe Gazmir Gjoka, i cili kishte bazat e tij në Nju Xhersi, Nju Jork, Filadelfia, Çikago, Kanada dhe Holandë. Mbi 17 persona, nga 26 të pandehur u arrestuan gjatë operacionit të marsit, i cili zgjati 5 ditë në shtetin e Nju Xhersit. Operacioni i FBI-së u kodua "Shqiponja e Zezë" për shkak të numrit të madh të shqiptarëve në këtë rrjet trafikimi. e.d