E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shulku: “Gjykimet? Klubet kanë të drejtë të ankohen”



Dash Frashëri

Gjyqtarët kanë qenë gjatë dhjetë javëve të parë të këtij sezoni, si ata që kanë gjykuar në Kategorinë Superiore, por dhe në ato inferiore, në shënjestrën e disa klubeve, këto të fundit kanë shprehur haptazi pakënaqësinë e tyre, madje Besa e Vllaznia, kanë protestuar zyrtarisht ndaj “xhaketave të zeza”. Besa i kërkoi zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit dënimin e gjyqtarit ndërkombëtar, Sokol Jareci, për të mos gjykuar më asnjë ndeshje në Kategorinë Superiore, ndërkohë që Vllaznia ka bërë edhe një listë me ndeshjet me kontestimet ndaj “bilbilave”. ”Është një e drejtë normale e klubeve për ta bërë një gjë të tillë, - tha Ilir Shulku, shefi i Sektorit të Garave, pranë Federatës. “Ka disa klube që kanë bërë kërkesa të tilla ndaj gjyqtarëve, nuk është e nevojshme të përmend emra. Sigurisht ato do të shqyrtohen nga instancat përkatëse, të cilat e gëzojnë me statut këtë të drejtë”, - shtoi 38-vjeçari, ish-lojtar i Partizanit dhe Kombëtares (41 ndeshje, 1 gol). Në fakt, klubet e ndryshme të Superligës apo dhe Kategorisë së Parë e të Dytë, kanë hartuar “listat e zeza” me emrat e gjyqtarëve, që sipas tyre nuk duhen lejuar të gjykojnë ndeshjet e ekipeve të tyre. “Kjo nuk është një sjellje normale, klubet nuk mund të detyrojnë e t’i imponohen Sektorit të Garave, se përndryshe do ta bënin ata dizenjimin e arbitrave, të drejtë që nuk u jep rregullorja e garave”, - theksoi Shulku, një ish-trajner i Besës, Partizanit dhe ish-ndihmëstrajner i Kombëtares U-21. Rasti më i fundit, kishte të bënte me gjykimin ndërkombëtarit Sokol Jareci në ndeshjen Besa-Dinamo. Gjyqtari shqiptar me stemën e FIFA-s e pranoi se kishte gabuar në mosdhënien e penalltisë në minutat e fundit të supersfidës Besa-Dinamo (0-1, java 10). Vllaznia ka hartuar një listë me mekatet e gjyqtarëve gjatë këtij edicioni futbollistik: Besa-Vllaznia (2-0, java 1, mohim i një penalltie), Vllaznia-Tirana (0-1, java 9, mohim i dy penalltive) dhe Skënderbeu –Vllaznia (1-1, java 10, gol në pozicion jashtë loje i lojtarit korçar Stavrion Lako).

13 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›