“Cosi vicina, cosi lontana”, një ekspozitë për artin shqiptar në dy periudha
Galeria Kombëtare e Arteve dhe Fondacioni për Kulturën “Genova Palazzo Ducale” me qendër në Xhenova të Italisë si dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor “Villa Croce” në Xhenova organizojnë së bashku ekspozitën e artit “Cosi vicina, cosi lontana”, që do të hapet në ambientet e këtij të fundit, që sot për publikun. Kjo ekspozitë që vjen në kuadrin e përvjetorit të rënies së murit të Berlinit dhe është një bashkëpunim i rëndësishëm institucional i Galerisë Kombëtare (dhe një projekt i propozuar nga kjo e fundit) me muzetë jashtë vendit do të sjellë një koncept ekspozues, që synon vënien përballë njëra-tjetrës të dy periudhave historike (para dhe pas vitit 1990) të ilustruara nga vepra artistike të prodhuara respektivisht në të dy periudhat. Ekspozita është konceptuar si një dikotomi që synon të eksplorojë marrëdhëniet mes qëndrimeve të ndryshme, apo dhe të ngjashme që vihen re në artin shqiptar të të dyja periudhave. Vënia përballë njëra tjetrës, që do të reflektohet edhe në vendosjen e veprave në muzeun Villa Croce ka si qëllim studimin e thyerjeve apo vazhdimësive, që shfaqen në artin tonë pamor, duke bërë në të njëjtën kohë një pasqyrim të gjerë te historisë dhe të ndryshimeve në Shqipëri. Në këtë funksion ekspozita do të theksojë një sërë nën-temash si; ‘Puna’,’Komunikimi’,’Qyteti’,’Femra’,’Propaganda’,’Imazhi I Pushtetit’,’Artisti’ etj. Ekspozita do të përbëhet nga vepra në pikturë dhe skulpturë të fondit të Galerisë Kombëtare, të prodhuara në vitet ‘70-‘80 dhe nga vepra të artistëve bashkëkohorë ne pikturë, fotografi, video dhe asemblazh të prodhuara kryesisht pas vitit 2000. Artistët pjesëmarrës janë: Kujtim Buza,Çlirim Ceka, Perikli Çuli, Myrteza Fushekati, Gentian Gjikopulli, Alban Hajdinaj, Oriana Kamberi, Shpëtim Kërçova, Vilson Kilica, Idlir Koka, Xhemal Lufta, Elsa Martini, Pandi Mele, Aristotel Papa, Alvas Papandili, Heldi Pema, Suela Qoshja, Bukurosh Sejdini, Agim Shami, Sali Shijaku, Orion Shima, Gentian Shkurti, Alajdin Tabaku, Lekë Tasi, Eltjon Valle, Driant Zeneli. Kuratorë të projektit janë: Matteo Fochessati, Rubens Shima dhe Sandra Solimano.
Në kuadër të Panairit të Librit 2009, MTKRS organizon tre promovime
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në kuadër të Panairit të Librit 2009 dhe në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Argeta-LMG” organizojnë veprimtarinë “40-vjet krijimtari-100 vepra”, kushtuar Prof. Anton Nikë Berishës. Gjatë aktivitetit, do të referojnë personalitete të letërsisë dhe arteve. Po në MTKRS gjatë drekës zhvillohet prezantimi i romanit të Amik Kasaruhos “Ikje nga trilli i perëndive”, një roman pothuajse biografik. Promovimi organizohet nga Shtepia Botuese “Buzuku”, që është njëkohësisht edhe botuesi i librit. Ndërsa me rastin e 95-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Filip Ndocaj, po sot në orën 17.00, në një nga mjediset e MTKRS, do të zhvillohet një pasdite përkujtimore me rastin e 95-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Filip Ndocaj. Gjatë aktivitetit do të dorëzohet Urdhri i Artë “Naim Frashëri” që i akordohet shkrimtarit, do të shfaqet një dokumentar i realizuar mbi figurën e shkrimtarit Filip Ndocaj dhe do të dhurohen ribotime të veprës së tij.
13 Nentor 2009