E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre mjekë në gjykatë, për dy raste ryshfeti

 

Trazhgim Sokolaj

Tre mjekë dhe tri mami të Maternitetit Koço Gliozheni në Tiranë dërgohen të pandehur në gjykatë për akuzën e korrupsionit. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, të akuzuarit janë Petrit Rexhepi, mjek gjinekolog, Dritan Xhangolli, mjek reanimator, Lefter Mano, mjek anestezist, Hyre Reçi, infermiere- mami dhe Nilka Perhati, infermiere- mami. Tre mjekët dhe tri infermieret akuzohen se në dy raste kanë marrë ryshfet nga qytetarë të ndryshëm që paraqiteshin me bashkëshortet shtatzëna në maternitet. Hetimi ka filluar më 20 shkurt 2009, pas një kallëzimi të bërë në polici nga shtetasi N.S. Ai kishte çuar bashkëshorten shtatzënë në maternitet. Pas vizitës, mjeku Petrit Rexhepi, i akuzuar në këtë dosje, i ka pohuar të shoqit të shtatzënës së gruaja kishte komplikacione, për të cilat duhej ndërhyrje me operacion. Pasi ka përfunduar operacioni, infermierja e maternitetit Hyrije Reçi ka takuar të shoqin e gruas shtatzënë dhe i ka thënë "duhet t'i japësh doktorit 70 mijë lekë të reja". Infermierja ka kërkuar para edhe për vete dhe për personelin ndihmës. Qytetari, meqenëse nuk kishte para me vete, është larguar nga spitali dhe menjëherë ka bërë kallëzim penal në polici. Më pas ai është paraqitur në spital përsëri dhe u dha paratë sipas rolit të secilit prej mjekëve dhe infermierëve. Ndërkohë në datë 28 korrik 2009 një tjetër qytetar ka bërë denoncim në polici për të njëjtët mjekë. N.Gj, i cili kishte partneren e tij me probleme nga shtatzënia ka pohuar se sapo shkoi në maternitet, infermierja Hyre Reçi, e cila pas skanerit të gruas ka kërkuar 4000 lekë të reja. Ajo i ka thënë qytetarit se nëse do t'i jepte paratë do të ndiqte lindjen e gruas edhe në rast se do të ishte me leje nga puna. Infermierja i ka kërkuar qytetarit më pas 150 mijë lekë për Petrit Rexhepin dhe 5 mijë lekë të reja për një mjek të quajtur Tani. Prokuroria tha se përmes përgjimeve dhe dëshmitarëve ka dokumentuar të gjitha rastet e pagesave të ryshfetit të dhëna për mjekët nga qytetarët. Organi i akuzës pohoi se mjekët në mënyrë direkte apo të tërthortë u bënin me dije qytetarëve se duhej të paguanin shuma parash. Negociatorja ishte infermierja Hyre Reçi, e cila sipas akuzës kërkonte shumat e parave për vete dhe për mjekët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›