Durrës, vijojnë operacionet për bllokimin e plazheve

Ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme operacioni për bllokimin e plazheve private të palicensuara, në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe plazhit të madh të Durrësit. Sipas burimeve nga dega e Tatim- Taksave, në Durrës janë bllokuar 7 plazhe private të palicensuara, si dhe janë sekuestruar 130 çadra dhe shezllone që i përkisnin këtyre subjekteve.
Ndërkohë, operacioni i kontrollit është shtrirë dhe në zonën e plazhit të madh të Durrësit. Sipas burimeve, policia bashkiake ka ndërhyrë për bllokimin e palzheve pa leje në zonën e plazhit të madh të Durrësit, ku janë bllokua disa prej tyre, por janë sekuestruar edhe rreth 60 shezllone dhe çadra.
Operacioni për krijimin e hapësirave publike në plazhin e Durrësit dhe Shkëmbit të Kavajës erdhi pas një fushate sensibilizuese, që “Ora News” i bëri këtij problemi, i cili kishte marrë përmasa tepër shqetësuese. Vetëm disa ditë më parë, të gjitha hapësirat e plazheve publike, ishin uzurpuar dhe strukturat e pushtetit loakal dhe atij qendror nuk po reagonin. Strukturat e Policisë Tatimore, Zyrës Rajonale të Mjedisit, Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të komunës së Rrashbullit, këtë aksion e ndërmorrën një ditë më parë dhe nga rezultatet e fundit, të ketij operacioni rezultoi të jenë bllokuar 5 plazhe private, që operonin në mënyrë të jashtëligjshme në zona publike, si dhe u sekuestruan 100 shezllone dhe çadra plazhi.