E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, vrasjet e bujshme me autorë të huaj

Mësohet se këto vrasje janë bërë me pagesë. "Gjatë dy viteve të fundit janë regjistruar disa vrasje, autorët e të cilave ka qenë e pamundur të identifikohen. Hetimet lidhur me këto ngjarje janë kryer në bashkëpunim me organin e prokurorisë por ato kanë ngecur në pikën e zbardhjes së autorëve", shprehen burime nga policia e Durrës.

Sipas ekspertëve, edhe pse për këto ngjarje janë pyetur me dhjetëra dëshmitarë, përshkrimet që ata kanë dhënë nuk kanë korresponduar me emrat e dyshuar nga policia. Një situatë e tillë i ka çuar agjentët e luftës kundër krimit si dhe hetuesit në përfundimin se vrasësit kanë ardhur nga jashtë kufijve të vendit tonë, pasi kanë rënë në ujdi me porositësit për shumat e parave lidhur me kryerjen e këtyre vrasjeve, shkruan Gazeta Shqiptare.

Në Durrës janë disa vrasje të klasifikuara si tepër të vështira për t'u zbuluar si nga ana e policisë ashtu dhe nga organi i prokurorisë.Bëhet fjalë për vrasje të tilla si ajo e biznesmenit Gentian Gashi (Zguri) nga Tirana që u ekzekutua me një plumb në kokë me pistoletë me silenciator dy javë më parë. Edhe pse u shoqëruan rreth 30 persona, prej të cilëve 10 dëshmitarë okularë, përshkrimi që ata dhanë për autorin e ngjarjes nuk dha asnjë rezultat pozitiv, pasi ishte e pamundur që të ndërtohej identikiti. E njëjta gjë u tha edhe për vrasjet e kryera vitin e shkuar, njëra në plazhin e Durrësit dhe tjetra pranë stacionit të autobusëve të plazhit, brenda në qytet. Konkluzionet e grupeve hetimore ishin se, edhe këto vrasje janë realizuar nga njerëz profesionistë, pasi ata nuk kanë lënë asnjë gjurmë të qenësishme në vendet e ngjarjeve me përjashtim të gëzhojave të armëve të zjarrit.

Edhe në këto ngjarje janë pyetur dëshmitarë okularë, të cilët kanë asistuar në skenat e krimeve, por përshkrimet e bëra prej tyre për autorët kanë qenë të paqarta për policinë. Të gjitha këto vrasje janë kryer nga njerëz të pamaskuar dhe dy prej tyre madje janë realizuar gjatë orëve të ditës. Këto ngjarje kanë krijuar jo pak shqetësime te banorët e qytetit të Durrësit. Një ngjarje e tillë ka ndodhur edhe në qytetin e Krujës në vitin e shkuar kur një 52-vjeçar u ekzekutua me automatin, por që autorët ende nuk janë identifikuar.

Duke u nisur nga analizat e këtyre ngjarjeve si dhe të disa të tjerave që janë regjistruar në harkun e dy viteve të fundit, agjentët e policisë kriminale si dhe grupet hetimore kanë arritur në përfundimin se vrasjet kanë qenë të porositura dhe janë realizuar nga vrasës profesionistë që kanë ardhur nga jashtë vendit. Sipas policisë së Durrësit, në listën e këtyre vendeve nuk është përjashtuar as Kosova. /Start/

                                                                                             2011-12-04 10:19
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›